Kalo te lënda

Hasani kundër Thaçit

403x30260975largea_nahit_hasani1355421312Kandidati për kryetar të Degës së PDK-së në Prizren, Nait Hasani, vlerëson se nuk ka pasur nevojë të shtohet numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Kryesisë. “Në këto rrethana nuk ka pasur nevojë për zgjerime. Është dashur të vlerësohet se a ka nevojë që të krijohen grupe punuese dhe jo zgjerim, sepse nuk ka pasur nevojë”, ka thënë Hasani.

Ai nuk ka pranuar të komentojë më shumë vendimin e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit për zgjerimin e numrit të Këshillit dhe Kryesisë së re. ”Nuk kam çka të komentoj shumë. Këshilli i Degës ka vendos, edhe pse është në kundërshtim me statutin e partisë”, tha Hasani.

 

Këshilli Drejtues i Degës së PDK-së në Prizren, mbrëmë ka shtyrë zgjedhjet për Kryesi dhe kryetar të ri. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka kërkuar që numri i anëtarëve nga 71 të rritet në 101 anëtarë. ”Prizreni është një qytet i madh dhe ishte pajtim i të gjithëve që të shtohet numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues ”, ka thënë Thaçi.

 

Burimet e “PrizrenPress-it”, tregojnë se kërkesa e Thaçit për rritjen e numrit është miratuar në heshtje nga anëtarët e Këshillit Drejtues. “Askush nuk është ngritur për ta kundërshtuar këtë propozim. Të gjithë kanë heshtur “.

 

Zgjedhjet në Degën e PDK-së në Prizren, nga viti i kaluar janë shtyrë disa herë, për shkak të kundërshtimeve që kanë lindur në mes të përkrahësve të dy kandidatëve për kryetar, Ramadan Mujës dhe Nait Hasanit.

 

Muja nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së në Prizren.” Nuk e di a do të kandidoj apo jo”, ka thën Muja. Ai në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, ka marrë rreth 30 vota më pak se sa kundërkandidati, Nait Hasani. /r.b

 

Lini një koment