Kalo te lënda

Busek: Nacionalizmi? Nuk kanë faj politikanët tuaj, është modë në Evropë

f_0406111131529_mErhard Busek, ish-Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, ishte ditët e fundit në Shqipëri për të marrë pjesë në një konferencë mbi projektin e përbashkët të historisë ku përfshihet edhe Shqipëria e Kosova.

Si një politikan me eksperiencë të gjerë lidhur me çështjet e Evropës dhe zhvillimit të saj, Busek, në një intervistë për Gazetën Shqiptare, vë në dukje se është koha më shumë se kurrë të jetojmë së bashku, sepse varemi nga njëri-tjetri.

Ai është kundër toneve nacionaliste si një mënyrë që mbulon problemet ekonomike e politike, megjithëse pranon se kjo gjë nuk është vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër Evropë.

Ideja e një bashkimi të shqiptarëve është përmendur së fundmi në vendin tonë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit. Busek thotë se është i familjarizuar me idenë e “Shqipërisë së Madhe”.

“Patjetër që komuniteti shqiptar ekziston në sajë të gjuhës dhe historisë. Por, kufijtë varen më së shumti nga situata politike… Ne duhet të jetojmë me situatën. Unë gjithmonë përdor një shembull: austriakët flasin gjermanisht tamam si gjermanët. Një shkrimtar i famshëm austriak ka një shprehje: ‘Gjermanët dhe austriakët flasin të njëjtën gjuhë. Dhe, ky është ndryshimi’. Kjo gjë që thotë ai është kaq e vërtetë. Për momentin, argumentet nacionaliste janë në modë në Evropë”, thotë ai.

“Është shumë primitive dhe jo e logjikshme të përdorësh argumente të tilla me qëllim mbulimin e vështirësive ekonomike, politike e të tjera. Nëse fillon të përdorësh argumente emocionale, ndodh që argumentet e logjikshme mbeten mbrapa. Kjo është tendenca e përgjithshme. Nuk dua të fajësoj ndonjë politikan shqiptar për argumentet nacionaliste, sepse kjo është e përgjithshme në Evropë. Kjo nuk është gjë e mirë. Ne na duhet të jetojmë së bashku sot më shumë se më parë, sepse çështjet e teknologjisë, ngrohjes globale dhe ekonomisë na bëjnë të jemi të varur nga njëri-tjetri”. /Telegrafi/

 

Lini një koment