Zona e Llapit, Demaçit: I kemi 131 dëshmorë
Një ditë pas deklaratës së Adem Demaçit për media se “Llapianët nuk e donin luftën”, kanë reaguar luftëtarët e zonës së Llapit.Në emër të ushtarëve të Llapit ka reaguar bashkëluftëtari i Zahir Pjazitit, Nazmi Ajeti.
Ai ka thënë për Standardi.info se organizimet e para të armatosura kanë filluar në Llap.
“Me gjithë respektin që e kam për bacën Adem duhet t’i them se armatimin e parë për luftën e UÇK-së e kanë futur në Kosovë djemtë e Llapit. 131 dëshmor i ka Llapi”, ka thënë Ajeti.
Ai ia ka rikujtuar Demaçit se njeriu i parë që filloi luftën qysh në vitet e 90-ta ishte Zahir Pajaziti në zonën e Llapit. “Kur i kemi eliminuar paramilitarët e regjimit të Serbisë që i rrihnin dhe vrisnin qytetarët e Llapit, dikush thoshte se po i vret CIA e dikush thoshte se po vriten në mes vete”.
Ajeti ka shtuar se “zona që ka rezistuar më së shumti në Kosovë është Llapi që ka pasur beteja të ashpra. Madje jemi bombarduar edhe me armatimin më të rëndë që e ka poseduar Serbia në atë kohë, avionët Miga kanë bombarduar zonën e Obraqnës dhe të Llapashticës edhe prapë kemi rezistuar”, tha ai. /e.i/