Zogaj: Adem Jashari e quante Ibrahim Rugovën “Komandant!”
Skënder Zogaj është një prej dëshmitarëve të zhvillimeve të viteve 90-ta në Shqipëri. I emëruar nga presidenti Ibrahim Rugova si përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë, zyrë kjo që kryente funksionet e një Ambasade shtetërore, Zogaj ka qenë pjesëmarrës dhe promotor i mjaft zhvillimeve të kohës pas vitit 1992 në Shqipëri.
Në intervistën për “Bota sot” Skënder Zogaj shpjegon për herë të parë detaje të “historisë” së fotografisë së 13 marsit të vitit 1993 në të cilën shihen ndër të tjerash edhe dy personalitete të rëndësishme të sakrificës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi, presidenti historik Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar Adem Jashari.
Zogaj shpalos edhe mjaft detaje të tjera jo vetëm për “historinë” e fotografisë por edhe për relacionet e tjera në mes të presidentit Ibrahim Rugova e Adem Jasharit.
“Adem Jasharin e kam takuar dhe njohur për herë të parë, pas 24 shkurtit 1993, në zyrën e përfaqësisë së Kosovës, ku Ademi ishte vizitues i shpeshtë, sikurse edhe shumë nga kosovarët që asaj kohe qëndronin në Shqipëri dhe që Zyrën e Përfaqësisë e kishin shtëpinë e tyre. Ademi Jashari ka qenë adhurues i madh i Rugovës, dhe unë, jam dëshmitari para robit e Zotit, që Ademi e quante Rugovën vazhdimisht ‘Komandanti’, dhe këtë e shprehte me një ndjenjë butësie dhe respekti të veçantë, me seriozitet të qartë dhe me një bindje të thellë përcaktimi. Ademi ishte fjalëpakë, i çiltër, i ngrohtë në komunikim, trimëror në pamje dhe qëndrim, shprehej lirshëm dhe gjithçka e thoshte troç, drenicakçe” citohet të ketë thënë Skënder Zogaj. /Telegrafi/