Kalo te lënda

Zgjedhjet: Ende larg marrëveshjes

f_0405180421856_mEdhe një takim i liderëve politik nuk ka sjell ndonjë rezultat për çështjen e zgjedhjes së presidentit, vendeve të rezervuara të komuniteteve dhe përbërjen e KQZ-së. Përderisa partitë politike në masë të madhe pajtohen për vende e rezervuara, Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm që është kundër kësaj ideje. Një pikë që janë pajtuar është pastrimi i listave zgjedhore dhe të ketë një vëzhgim ndërkombëtar statik të procesit zgjedhor.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se të gjithë janë dakord që komisionit për reformën zgjedhore t’i jepet mandat shtesë. Mirëpo, kjo pritet të ndodh, pas raportimit të tyre në kuvend.

Haradinaj duke folur për temën e zgjedhjes së presidentit të vendit, ka thënë ende nuk ka dakordim që do të ndodh.

Ai ka shtuar se një pjesë e shumicës janë për zgjedhjen në kuvend, por ka edhe pikëpamje për zgjedhje direkt nga populli.

“Ne jemi të hapur për të shkuar me zgjedhjen e presidentit në Kuvend. Nuk e kemi kundërshtuar zgjedhjen e drejtpërdrejt, por preferojmë zgjedhjen në Kuvend…. LDK dhe AKR mendojnë që zgjedhja të bëhet direkt, të tjerat janë për Kuvend”, ka theksuar Haradinaj, transmeton Kosovapress.

Për ulëset e rezervuara nga komunitetet pakicë malazeze dhe kroate, Haradinaj ka thënë se një pjesë e spektrit politik ka gjenerozitet në këtë temë, ndërsa një pjesë ende kanë qëndrim ndryshe. Sipas tij, kjo do të bëhet me konsensus të gjithëve se bashku.
I pyetur se a po ndikon veriu i vendit në procesin e reformës zgjedhore, Haradinaj ka thënë se në mënyrë direkte jo, por siç ka thënë ai, një shumicë e madhe e partive politike e përkrahin që përfaqësuesit serb të veriut të kenë përfaqësim në Kuvend.

“Ne na intereson edhe përfaqësimi i serbëve të veriut, por nuk kishim pas dëshirë me qenë në dëm të serbëve të pjesës qendrore. Prandaj, nëse ruhen këto ulëset e rezervuara për një mandat më tutje për një kohë të caktuar, atëherë ishte krijuar mundësia e përfaqësimit të tyre”, ka deklaruar ai.

Për më tepër ai ka shtuar se në rast se ndodh kjo, është gjenerozitet i Kosovës dhe nuk buron nga pakoja e Ahtisaarit.

Liderët nuk janë pajtuar për përbërjen e KQZ-së, ku opozita kërkon që përbërja të jetë 50-50, ndërsa opsioni i dytë është gjendja ekzistuese e KQZ-së. Janë pajtuar për pastrimin e listave zgjedhore, në përputhje me mekanizmat.

Liderët nuk preferojnë që mbikëqyrja ndërkombëtare të ketë rol ekzekutiv për procesin zgjedhor, por një vëzhgim të fuqishëm të procesit në mënyrë statike jo lëvizëse.

Haradinaj ka shtuar se komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ende ka punë, por nuk ka saktësuar se a mund të filloj sërish punën ky komision.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ky forum përveç se është joformal, nuk ka formalitet as brenda forumit, jo veç se karshi institucioneve dhe publikut.

Janë diskutuar një mori temash që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por sipas tij kjo reformë është produkt anësor i marrëveshjes së 6 prillit 2011, duke shtuar se presidentja aktuale u nxor nga zarfi në ambasadën amerikane.

Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar idenë që për zgjedhjen e presidentit mos të nevojiten 80 vota, duke konsideruar që posti i tij duhet të jetë shprehje e konsensusit të brendshëm.

Kurti ka thënë se Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që kundërshton vendet e rezervuara në Kuvend.

“Ne nuk jemi që ulëset e rezervuara të vazhdohen edhe për mandate të tjera. Ato janë antidemokratike dhe madje edhe ekipi i unitetit thoshte se plani i Ahtisaarit është kompromis i dhembshëm. Cili është kuptimi tash që këtë dhembje ta zgjatësh? E vetmja mënyrë si mund ta arsyetosh zgjatjen e mandatit të këtyre ulëseve është nga pozicioni mazohist. Nëse ky kompromis ka qenë i dhimbshëm, cili është kuptimi që t’ia zgjasim dhembjen”, ka thënë Kurti.

Për ulëset e rezervuara për malazezët dhe kroatët, Kurti ka thënë se nuk është kundër që këto dy komunitete të bëhen bashkësia nacionale dhe të kenë ulëse të rezervuara. Por, sipas tij, së pari duhet të pyetën shqiptarët në Mal të Zi dhe Kroaci, se çfarë mendojnë për këtë kërkesë të malazezve e të kroatëve. Ai ka kërkuar që të ketë vëzhgim ndërkombëtar statik dhe jo të lëvizshëm.

I pyetur se ka pas ndonjë pikë që është pajtuar me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, ai ka deklaruar: “Jo… Me kryeministrin nuk kemi pajtim për asnjërën nga këto çështje”.

Se a është normale kjo që mos të ketë dakordim në asnjë pikë, Kurti ka thënë se është politikan normal, e për kryeministrin ka preferuar që të pyesin gazetarët.

“Unë jam një politikan normal. Duhet ta pyesin edhe atë”, është shprehur Kurti.

Për më tepër ai ka thënë se komisioni i cili është marr me reformën zgjedhore duhej të raportoj në Kuvend se çfarë ka bërë deri më sot. Po ashtu, ai ka shtuar se ka përpjekje të tilla që të vazhdohet puna e këtij komisioni, por sipas tij kjo kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, duke kërkuar që njëherë të raportoj në Kuvend ky komision.

Takimi i ardhshëm i liderëve pritet të mbahet me 15 prill dhe do të thirret nga ministri Mahir Yagchillar nga komuniteti turk. /Telegrafi/

Lini një koment