Takohen Mustafa e Haradinaj, flasin për reformën zgjedhore
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj janë duke u takuar në restorantin “Pishat”, në Prishtinë, ndërsa temë e bisedimeve mësohet se është koordinimi për reformën zgjedhore.
Në takimin Mustafa-Haradinaj është parë të jetë edhe Ismet Beqiri, sekretar i LDK-së dhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Burime të Telegrafit kanë njoftuar se Mustafa e Haradinaj janë duke diskutuar për reformën zgjedhore.
Marrëveshja Thaçi-Mustafa-Pacolli, e cila më pas u përkrah edhe nga Kuvendi me anë të një rezolute të miratuar në prill të vitit 2011, mes tjerash parashihte ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore.
Reforma zgjedhore, po ashtu, është një nga pesë kriteret, të cilat Komisioni Evropian ka paraparë që Kosova duhet t’i plotësojë në kuadër të Studimit të Fizibilitetit.