Kalo te lënda

Shefat nuk kanë vullnet për reformat

403x30260783Jakup_Krasniqi2011Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka kritikuar partitë politike dhe sidomos shefat e këtyre partive për mungesë të vullnetit politik sa i përket reformës zgjedhore.
Duke folur në Kuvend lidhur me raportet e Institucioneve Ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, Krasniqi është ndalur vetëm në segmentin e zgjedhjeve, pasi sipas tij parregullsitë në zgjedhje janë evidentuar shumë në këto raporte.

Por sipas Krasniqit parregullsitë në zgjedhje janë problem i shkuar dhe se tani do të duhej të mendohej se si të shmangeshin problemet e shkuara në të ardhmen. Krasniqi ka thënë se burimi kryesor i parregullsive është te shumësia e votave, në rastin kur një votuesi i duhet të votojë për subjektin politik dhe pesë kandidatë.

Më se miri, sipas tij do të ishte thjeshtësimi i këtij sistemi i cili do të përmirësonte rezultatet dhe mënyrën e votimit. Ai ka propozuar që më së shumti zgjedhësi të ketë mundësinë të votoj për subjektin partiak dhe vetëm një kandidat. “Lista të hapura me një kandidat”, ka qenë kërkesa e Krasniqit.

Sipas Krasniqit, rezultati i zgjedhjeve do të ishte rezultati i qytetarëve dhe vetëm kështu Kosova do të kryente ABC-në e demokracisë. “Nëse vazhdohet me pesë kandidatë në listë rezultati përfundimtar nuk do të jetë as vullneti qytetar i shprehur në votim por nuk do të jetë as mundësia që kandidati të mbrojë votat e veta”, ka thënë ai, njofton kosovapress.

Krasniqi ka shtuar se është i bindur se nëse vazhdohet me sistemin e hapur me pesë kandidat do të përsëriten prapë problemet e mëparshme. Ndryshe, sipas mediave kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot janë takuar në një restorant në Prishtinë, ndërsa temë e bisedimeve mësohet se është koordinimi për reformën zgjedhore./r.b

Lini një koment