MPB “offline”
Publikimi i listës së pagave të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë që drejtuesit e kësaj ministrie të urdhërojnë ndërprerjen e internetit për shumicën e dikastereve që veprojnë nën ombrellën e MPB-së.
Javën e kaluar “Zëri” ka raportuar se si asistentja e ministrit Bajram Rexhepi, Merita Vidishiqi, vetëm për një muaj ka marrë pagë 1.118.99 euro, duke publikuar në detaje pagën bazë dhe kompensimet tjera.
Dhe pikërisht publikimi i dokumentit me kodin 10-14800-214-016, që ka dalë nga njëra prej departamenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka irrituar të “mëdhenjtë” e kësaj ministrie, të cilët për ta bërë të pamundur “rrjedhjen” e informatave nëpërmjet postës elektronike kanë urdhëruar që shumicës së dikastereve t’iu ndërpritet rrjeti.
Gazeta “Zëri”, ka mësuar se ka disa ditë që Administrata Qendrore, Departamenti i Prodhimit të Dokumenteve, Departamenti për Buxhet dhe Financa, Departamenti për Prokurim Publik, Zyra Ligjore e Personeli, janë pa internet –offline.
Prandaj, sipas disa zyrtarëve, në vend që të ndalë korrupsionin, ministri i Rendit e ndalë internetin, që dallaveret e mundshme të mos dalin jashtë. /Telegrafi/