Bashkëpartiakët përkrahin Thaçin për marrëveshjen
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti një takim me Kryesinë dhe kryetarët e degëve të PDK-së, të cilët i informoi për rrjedhat e takimit të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Thaçi theksoi se në Bruksel është prezantuar qëndrimi i Republikës së Kosovës për normalizimin e raporteve me Serbinë.
“Kryeministri njoftoi se bisedimet që nuk kanë qenë të lehta kanë mundësuar që të garantojmë integrimin e qytetarëve në institucione, si qytetarë të barabartë dhe të trajtuar sipas kushtetutës sonë dhe akteve të avancuara ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Më tej theksohet se Thaçi ka bërë të ditur se qëndrimet e Kosovës janë në harmoni me BE-në dhe pret që edhe Serbia të pajtohet, me çka kontribuon në paqe dhe stabilitet të popujve, vendeve dhe rajonit në tërësi.
“Kryetari Thaçi falënderoi BE-në, SHBA-në dhe spektrin politik për mbështetjen e këtij procesi. Kryesia e PDK-së dhe kryetarët e degëve të PDK-së i dhanë mbështetje të plotë qëndrimit të kryetarit të PDK-së”, thuhet në njoftimin.