VV: Dështimi i dialogut, lajm i mirë për Kosovën
Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë lidhur me takimin e djeshëm ndermejt kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq në Bruksel.
Sipas Vetëvendosjes, tash do të ketë takime joformale, apo takime jo të drejtpërdrejta? Gjithsesi kjo mënyrë e përmbylljes së kësaj faze të dialogut qartazi lë derën hapur për vazhdim të tij. Mbase dialog jo të drejtpërdrejtë, por gjithsesi dialog mes dy kryeministrave. Pra, asgjë nuk ka përfunduar.
“Fakti që mbrëmë nuk u arrit marrëveshja është lajm i mirë për Kosovën. Mirëpo, nuk ka vend për entuziazëm, sepse mosarritja e marrëveshjes nuk shënoi edhe fundin e dialogut. Në forma të tjera u paralajmëruar që ai do të vazhdohet”, thekson Vetëvendosje.
Madje, deklarata e mbrëmshme për media, e dhënë nga Catherine Ashton, ndërmjetësuese në këtë dialog, përfundon me këtë fjali: “U urojë atyre (Thaçit dhe Daçiçit) rrugë të mbarë për në shtëpi dhe çfarëdo suksesi të mundshëm në arritjen e një konkluze”. Pra, nuk flet për marrëveshje, e aq më pak marrëveshje ndërkombëtare, por për konkluzë, sikur ato të Edita Tahirit. Ky term i përdorur nga zyra e ndërmjetësit flet qartë për atë se si ndërmjetësi, në këtë rast BE-ja e sheh dialogun dhe palët në të. Nuk bëhet fjalë siç është thënë për dialog mes dy palëve të barabarta, mes dy shtetesh, por për negociatë mes Serbisë, dhe Kosovës, e cila sipas neutralitetit të BE-së karshi statusit, e ka këtë ende të pazgjidhur.
Ky dialog nuk ka qenë dashur të nis fare. Dialogu jo parimor dhe për çështje të brendshme të Kosovës me Serbinë nuk ka se si të prodhojë rezultat në dobi të Kosovës. Marrëveshjet e deritashme të Qeverisë së Kosovës të arritura përmes Edita Tahirit, kanë qenë në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës të cilat kulmuan në degradimin e emërtimit politik të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga Republika e Kosovës, në Kosovën me fusnotë. Thaçi e nisi dialogun në këtë pikë pra, jo nga zeroja e as nga Kushtetuta e Kosovës, por nga Kosova e fusnotës. Thaçi pastaj e vazhdoi me koncesionet e reja, duke pranuan Asociacionin e komunave serbe, për ta degraduar tutje decentralizimin etnik në centralizim etnik, duke krijuar kështu formën e autonomisë (përmes definimit të territorit) e cila mbushet pastaj me përmbajtje; duke e pranuar Fondin për Veriun, pra buxhetin paralel për Asociacionin, duke krijuar kështu financat për autonominë; dhe duke pranuar njësitin e veçantë të policisë për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat me dashakeqësi po quhen serbe, duke e vazhduar kështu krijimin e mekanizmave për funksionim të pavarur të Kishës Ortodokse të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe uzurpimin e pronës që i është mundësuar kësaj Kishe me Planin e Ahtisaarit.
Vazhdimi i dialogut është vazhdim nga këtu ku ka mbetur. Pra është vazhdim nga koncesionet e deritashme, jo për t’i zhbërë ato, por për ta vazhduar konkretizimin e tyre. Vazhdimi i dialogut, formal apo jo formal është vazhdim i mbushjes së formës (Asociacionit) me përmbajtje (kompetenca shtesë ekzekutive), thekson VV. (ORAinfo)