Kalo te lënda

Vllasi: Prishtinës nuk i ngutet, Beogradit po

f_0403194531299_mKosovës nuk i ngutet, ka përkrahjen e SHBA-së, Brukselit dhe Gjermanisë, tha këshilltari i kryeministrit Thaçi për çështje të jashtme, Azem Vllasi pas rundit të tetë të pasuksesshëm të bisedimeve në Bruksel.

Ai theksoi se Serbia duhet t’i ndërrojë qëndrimet e saj dhe kërkesat joreale sa i përket veriut të Kosovës, në të kundërtën gjërat do të mbesin me të vjetrën.

“Situata mundet të mbetet ashtu siç ka qenë deri tashti, por kjo do të ketë pasoja për Serbinë dhe serbët në veri të Kosovës. Pikërisht ata qytetarë Serbia i mban në pasiguri dhe me shpresa të rreme se do të kujdeset për ta. Në pjesët e tjera të Kosovës serbët e kanë gjetur vendin e vet nën diell”, tha Vllasi, transmeton agjencia turke Anadolya, citon Koha.net.

“Neve nuk na ngutet, sidomos nuk duam që të arrihen zgjidhje në dëmin tonë. Serbisë i ngutet shumë në rrugën e saj evropiane. Andaj, pala që duhet të ndërrojë qëndrimet e veta është Serbia e jo Kosova”.

Vllasi theksoi se në Serbi kurrsesi të kuptojnë që Kosova është shtet, por mendojnë se mund të vazhdojnë me shantazhe.

“Në Serbi duhet ta kuptojnë që asnjë qeveri e tyre nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, madje as në veri, ku kemi tri komuna të vogla me shumicë serbe”, porositi Vllasi.

Ai shtoi se kurrë nuk do të lejohet që në veri të Kosovës të barten edhe disa ingjerenca kyçe shtetërore siç janë policia dhe gjyqësia. “Kjo është e pamundshme”, tha Vllasi dhe shtoi se Serbia dëshiron ta instalojë në Kosovë një Republika Srpska si në Bosnjë, për ta bërë Kosovën shtet jofunksional, por kjo nuk do të kalojë as te kjo qeveri e Thaçit dhe cilado tjetër qeveri që vjen në pushtet në Prishtinë.

Në fund Vllasi tërhoqi vërejtjen se situata në veri të Kosovës është e tensionuar dhe konfuze. “Nga kjo mund të lindin eksese dhe trazira. Por, të gjitha këto do të shkojnë në dëm të serbëve në veri dhe të Serbisë në përgjithësi”, tha ai. /Telegrafi/

Lini një koment