Mustafa: Lejet e ndërtimit nuk mund të kontestohen nga askush
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka deklaruar se trajtimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i tyre ka mbështetje të plotë ligjore dhe lejet e lëshuara nuk mund të kontestohen nga asnjë organ administrativ apo kolegj tjetër për kontekst administrativ. Ai po ashtu ka deklaruar se ende nuk është diskutuar për emrin e kandidatit të LDK-së për Prishtinën, por ka thënë se po synojnë që mos të jetë emër që ka ushtruar detyrën e kryetarit.
I pari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa në një konferencë për media ka thënë se rregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje nuk është shpall e pavlefshme dhe jo ligjore nga asnjë organ kompetent i Republikës së Kosovës. Ndërkaq, deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor se rregullorja e Prishtinës është e paligjshme, sipas Mustafës janë deklarata politike. Ai ka shtuar se në asnjë rast nuk është vënë në dyshim çështja e kompetencës së komunës së Prishtinës dhe komunave të tjera të Kosovës për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Mustafa u ndal edhe te deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor se rregullorja e Prishtinës është paligjshme, deklarata këto të cilat i ka quajtur si politike.
Ai ka shtuar se në deklaratat e deritanishme të zyrtarëve të ministrisë është përmend kinse vetëm Komuna e Prishtinës ka nxjerrë leje për trajtimin e objekteve të ndërtuara pa leje mirëpo sipas tij, këta zyrtarë fshehin të vërtetën sepse këso rregullore kanë nxjerrë edhe komuna të tjera dhe disa prej komunave kanë përmbyll procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje sipas kësaj rregullore.
Mustafa ka thënë se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të trajtojë kërkesat e parashtruara të qytetarëve për legalizimin sipas rregullores të cilën e ka aprovuar Kuvendi i Komunës, kurse në momentin që Kuvendi i Republikës së Kosovës aprovon ligjin për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, atëherë do të fillojë të zbatohet ligji i ri. Ai ka shtuar se marrja e kompetencave të komunës nga ministria dhe Qeveria e Kosovës nuk janë në harmoni me përgjegjësitë që ka komuna me ligjin për qeverisjet lokale, dhe këto sipas tij po krijojnë probleme te qytetarët.
Ndërsa, i pyetur rreth kandidaturës për kryetar të Prishtinës, Mustafa ka thënë se janë duke u munduar të sjellin një parim në Lidhjen Demokratike të Kosovës që të mos përsëriten kryetarët e kaluar.
“Unë jam ithtar i asaj që të shkojmë përpara, që të shkojmë me njerëz që iu ipet shansa që të japin kontributin e tyre dhe mos të riciklojmë me kandidat të cilët kanë ushtruar këtë punë, tash nuk po i adresohem zotit Beqiri të cilin po e përmendni por do të mundohemi që një parim të tillë ta kemi një parim të sjelljeve të ardhshme në LDK”, ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar se kjo parti ende nuk e ka hapur temën për kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës./rtv21/