LDK-PDK, përplasën për Auditorin e Përgjithshëm
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në mbledhjen e sotme u shndërrua në një arenë përplasjeje në mes të kryetarit të këtij Komisioni Ali Sadrisë (LDK) dhe anëtares së këtij komisioni, Valbona Dibra (PDK).Përplasja ndodhi pas kërkesës së Valbona Dibrës, e cila kërkoi raport të hapur publikë nga ana e zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, pas një letre që ka qarkulluar ditë më parë nëpër media, e cila kishte nxjerrë në pah një sërë pakënaqësish në mes të sindikatës së Auditorit të Përgjithshëm dhe stafit të menaxhmentit.
Kryetari i Komisionit Ali Sadria refuzoi një kërkesë të tillë të znj Dibra, duke e cilësuar përpjekjen e saj si ndërhyrje në pavarësinë e institucionit të pavarur, i cili njëherësh është edhe kategori kushtetuese.
“Një raport pune do të bëhet publik nga një kompani publike e cila pritet të sjellë raportin e gjerë për të gjitha ecuritë, dhe pas kësaj mund të hapet debati lidhur më të gjitha problemet qe janë përfshirë këtu”, theksoi Sadriu, për portalin Standardi.info. Me këtë rast, z. Sadriu vendosi qe në mbledhjen e radhës të komisionit të debatohet për këtë çështje, por vetëm me një rekomandim të Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës.
Por Valdona Dibra e përkrahur edhe nga bashkë partiaku dhe anëtari i kryesisë së komisionit të KMFP-së, Ramiz Lladrovci, insistuan qe kërkesa e tyre të hyjë në votim nga anëtarët e komisionit, për të shqyrtuar mundësinë e kalimit të kërkesës së tyre. Për një gjë të tillë nuk u pajtuan shumica e anëtarëve të komisionit në fjalë.
Anëtarët e partive tjera, nuk ishin të gatshëm të merren me këtë problem me arsyetimin se nuk ishin të njoftuar për një problem të tillë./Ilir Krasniqi