Kundërshtojnë privatizimin
Punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës nëpërmjet protestës po kundërshtojnë edhe një herë privatizimin e kësaj kompanie. Ata po kërkojnë referendum dhe ligj të veçantë për PTK-në.
“Deputet keni kujdes kur është në pyetje privatizim i PTK-së”, “Besim Beqaj, mos pengo perspektiven e punëtorëve”, “Duam Referendum, duam ligj të veçantë për PTK-në”. Këto kanë qenë disa nga parullat të cilat i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës për mos privatizon e PTK-së.
Protesta është organizuar nga Sindikata për mbrojtjen e punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ata kanë dalë kundër këtij procesi, në ditën kur pranohen ofertat e kompanive të interesuara për blerjen e PTK-së.
Drejtuesit e kësaj sindikate, thanë se janë kundër këtij procesi dhe se do ta kundërshtojnë vazhdimisht procesin e privatizimit.
“Protesta ka të bëjë me kundërshtimin për mos privatizimin e PTK-së, për mos nënshkrimin e kontratës kolektive për punëtorët tanë. Le ta dinë mirë qeveritarët tanë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe të gjithë të tjerët se nëse vazhdojnë me shitjen, ne dhe pjesa dërmuese e qytetarëve nuk e pranojnë këtë mënyrë të privatizimit”, tha kreu i kësaj sindikate, Milazim Alishiqi.
Sindikata i ka bërë thirrje edhe ofertuesve të cilët tentojnë që ta blejnë PTK-në, që të heqin dot nga kjo, ngase sipas tyre, nuk janë të sigurt që ta blejnë më një çmimin që po flitet ne opinion.
Alishiqi, tha se sindikata që ai drejton nuk do të lejojnë që të Kosova të bëhet qiraxhi në shtëpinë e vetë. Ai pohoi se arsye tjetër e protestës është edhe fakti se PTK-ja është promotor i fuqishëm në mbushjen e arkës së shtetit.
“Pra i bëjmë thirrje Qeverisë që kompaninë më profitabile mos ta shesin, sa për ta kryer si procedurë. Në 5 vitet e fundit PTK, ka paguar në arkën e shtetit mbi 80 milion euro në vit. Vetëm para 5 ditëve PTK-ja ka paguar 20 milion euro dividend në arkën e shtetit. Të gjitha këto shifra na bëjnë që ne të jemi të vendosur në qëndrimet tona. Qëndrimet tona nuk akne të bëjnë kundër një personi, ato kanë të bëjnë me përkushtimin për ta mbrojtur pasurinë e Kosovës”, tha krye sindikalisti, Alishiqi. /Indeksonline/