Eduard Selami udhëheqë diplomacinë shqiptare?
Një qeveri e re pothuajse krejtësisht e djathtë. Ky do të jetë kabineti i ri qeveritar që kryeministri Sali Berisha pritet të krijojë shumë shpejt pas largimit të LSI-së. Ministrat e LSI-së do të zëvendësohen me dy emra nga PD-ja, ndërkohë që ministri i tretë mund t’i lihet një prej aleatëve të Berishës.Fillimisht u fol për emrin e kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi në postin që mban aktualisht Edmond Haxhinasto, ministër i Ekonomisë. Por vetë z.Idrizi e përgënjeshtroi një gjë të tillë përmes rrjetit social “Facebook”. “Miqtë e mi, nuk ka asnjë të vërtetë në spekulimet për emrin tim. PDIU dhe unë kemi vetëm një prioritet: miratimin e rezolutës, për zgjidhjen e çështjes çame”, – shkruan Idrizi.
Por surpriza e qeverisë pritet të jetë emri i ish-kreut të PD-së, Eduard Selami, për të cilin flitet se do të marrë postin që mban Edomond Panariti, në krye të diplomacisë shqiptare. Hyrjen e Selamit në qeveri nuk e përjashtoi dje as vetë kryeministri Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp.
Duke komentuar zërat për një rikthim të Eduard Selamit në qeveri, në postin e zëvendësministrit të Jashtëm, Berisha tha: “Së pari, me gjithë dëshirën t’u jap përgjigje këtyre pyetjeve, ju siguroj se gjatë ditëve që vijnë do merren të gjitha vendimet e përshtatshme si për shumicën e ardhshme parlamentare, ashtu edhe plotësimin e kabinetit”, – theksoi Berisha.
Ende nuk dihet se kush do të jetë emri tjetër i demokratëve që do të marrë postin e ministrit të Shëndetësisë, i cili aktualisht mbahet nga Vangjel Tavo. Por kryeministrit Sali Berisha i duhet të ndërhyjë edhe në nivelet e dyta të qeverisjes, ku bëhet fjalë për zëvendësimin e një sërë zëvendësministrash, që momentalisht janë përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje se riformatimi i qeverisë do të bëhet shumë shpejt, duke nënkuptuar menjëherë pas largimit të ministrave të LSI-së nga qeveria. Me lëvizjet e reja të qeverisë, demokratët qeverisin vetëm me republikanin Fatmir Mediu, ndërkohë që tri portofole të rëndësishme mbaheshin nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por shkëputja e saj nga qeveria ka detyruar kryeministrin Sali Berisha që të projektojë emrat e rinj të kabinetit me të cilin do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit dhe do të kërkojë votat për një mandat të ri 4-vjeçar, 2013-2017.R.B