Vulin ndërsen serbët e Prelluzhës: reagon Vushtrria
Një takim, i mbajtur në Prelluzhë të Vushtrrisë, ku merrnin pjesë edhe Aleksandër Vulin, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe dhe Vladeta Kostiv, i ashtuquajtur kryeshef i Qarkut të Kosovës, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Komunës së Vushtrrisë.
Nëpërmes të një reagimi, zëdhënësi i kësaj komune, Bahri Bivolaku, ka thënë se disa serbë të fshatit Prelluzhë, të shtyrë edhe nga prezenca e drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin dhe kryeshefit të ashtuquajtur Qark i Kosovës, Vladeta Kostic, kanë mbajtur një tubim në Prelluzhë, me kërkesën që të jenë pjesë e bashkësisë së komunave serbe të Kosovës, me pretendimet e përbashkëta me serbët e komunës së Obiliqit për të krijuar komunë serbe, shkruan “Zëri”.
“Qasja e tillë e këtyre politikanëve të Serbisë që cytin serbët lokalë është në kundërshtim me dokumentet e presidentit Ahtisari, por edhe perspektivës së këtij komuniteti që jetojnë në komunën e Vushtrrisë. Perspektiva e serbëve lokalë është në integrimin e plotë të tyre në jetën institucionale në komunën e Vushtrrisë”, ka thënë zëdhënësi Bivolaku.
Sipas tij, aktualisht në komunën e Vushtrrisë, duke përfshirë edhe fshatin Prelluzhë, jetojnë rreth 3000 qytetarë të nacionalitetit serb, edhe pse në regjistrimin e fundit të popullsisë kjo shifër është dukshëm më e vogël.
Integrimi i tyre në institucionet lokale të Vushtrrisë, sipas Bivolakut, është në rrugë të mbarë, pasi që nga 217 të punësuarit në administratën komunale, 21 prej tyre janë nga komuniteti pakicë, pastaj 14 sish të punësuar në policinë e Kosovës, stacionin në Vushtrri, dy në kompaninë rajonale të pastrimit të mbeturinave “Uniteti”, ndërsa KEK-u dhe PTK-ja kanë selitë e tyre në fshatin Prelluzhë.
Sipas tij, në vitin 2012, komuna e Vushtrrisë, duke respektuar kërkesat e banorëve të fshatit Prelluzhë ka investuar rreth 700 mijë euro në projekte kapitale, ndërsa me donatorët është investuar në ndërtim të 63 objekteve të banimit kolektiv.
“Komuniteti serb është i përfaqësuar mirë në jetën institucionale duke kryesuar me Zyrën Lokale të Komuniteteve dhe Komitetit për Komunitete. Gjithashtu, këshilli i fshatit Prelluzhë përfaqësohet denjësisht nga zyrtarët e vet në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi. Po ashtu, me iniciativë të vetë banorëve, serbët kanë themeluar edhe dy komitete lokale të sigurisë në bashkësi, atje ku jeton ky komunitet në fshatin Prelluzhë dhe Gojbulë”, tha Bivolaku.
Ai shtoi, se Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit ka vite që është duke bërë përpjekje që përmes ofertave publike dhe konkurseve të josh personelin arsimor të fshatit serb (54 sish) që të integrohet në sistemin arsimor të Kosovës.
“Komuna e Vushtrrisë trajton të gjithë qytetarët e saj në mënyrë të barabartë, ndërsa liria e lëvizjes dhe barazisë ka vite që mbizotëron në gjithë territorin e komunës. Serbët e Vushtrrisë kanë zgjedhur rrugën e integrimit dhe politika e Serbisë nuk ka asnjë arsye të ndërhyrjes dhe manipulimit me ta për qëllime politike”, ka përfunduar zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Bahri Bivolaku. /Telegrafi/