Si arriti Thaçi ta fus BQK-në nën kontroll?
“Kosova sapo ka emëruar guvernatorin e ri të Bankës Qendrore. Duke pasur parasysh që Bedri Hamza është një njeri shumë i afërt me qeverinë aktuale, vështirë se do të garantohet pavarësia e nevojshme e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo zgjedhje është skandaloze, si për arsye të lartpërmendura, si për mangësitë e shumta në sistemin e qeverisjes në Kosovë”, ka thënë ish drejtori i çështjeve ekonomike dhe fiskale në ICO, Andrea Lorenzo Capussela
Për të siguruar që një bankë qendrore të jetë efektive dhe e pavarur, dhe jo vetëm formalisht, të gjithë anëtarët e organeve vendimmarrëse të saj duhet të jenë të pavarura. Ky është një parim i rëndësishëm i BE-së. Personat të cilat kanë luajtur një rol aktiv politik para emërimit të tyre në Bankën Qendrore, ose që kanë një lidhje të qartë me politikën, mund të përdoren për të ushtruar presion mbi Bankën Qendore si dhe prezenca e tyre thjeshtë krijon hapësirë dhe nxitje për të ushtruar një presion të tillë. Për më tepër, një Bankë Qendore duhet të jetë në gjendje dhe e gatshme për të kritikuar politikat ekonomike dhe buxhetore të qeverisë.
“Në rastin e zgjedhjes së Bedri Hamzës, aftësia e Bankës për të bërë këtë ështe reduktuar, ose thënë më mirë ështe zhdukur tërësisht. Kjo është diametralisht në kundërshtim me frymën e statusit të Bankës Qendore Evropiane”, ka shtuar Capussela .
Sipas tij, fillim të vitit 2010, një ish komandat i UÇK-së ushtroi kërcënime të qarta, ndaj ish guvernatorit të Bankës Qendore, Hashim Rexhepi, për të nxjerrë një licensë për një kompani të sigurimit, e cila ishte e dyshimtë që nuk i kishte plotësuar kushtet. Atëherë, Ministri i Financave, Ahmet Shala, ishte pjesë e takimit kur kërcënimet janë bërë, dhe qëndroi në anën e atij komandantit të UÇK-së. Pavarësisht nga kjo, ish guvernatori Rexhepi, refuzoi të lëshojë licencën e sigurimit.
Disa javë më vonë një person i besueshëm duke folur në emër të kryeministrit Thaçi i kërkoi ish guvernatorit Rexhepi, për të investuar të gjitha paratë publike të depozituara në Bankën Qendore (të ardhurat tatimore, një fond i madh i privatizimit, si dhe pjesë të fondit të pensionit), në tri banka të shteteve jo-evropiane. Përsëri, Rexhepi tha jo.
Pastaj, filloi haptazi fushata kundër tij, përfshirë edhe arrestimin e tij. Më vonë doli se të gjitha akuzat ishin bazuar, kryesisht në letra anonime.
“Unë jam i bindur se këto akuza, ishin të bazuara në dosjet e përgatitura nga SHIK-u. Ish-guvernatori Rexhepi u lirua nga të gjitha akuzat, por ai u shkarkua përmes një vendimi të paligjshëm të parlamentit.
Interpretimi është i thjeshtë. Banka Qendore kontrollon tregjet ku rrjedhin paratë më të mëdha. Rrethi i kryeministrit u përpoq për të ndikuar guvernatorin, por dështoi. Duke mos ju pëlqyer kjo, ata vendosen rrëzimin e tij dhe u përpoqën të emërojnë njërin nga burrat e tyre në vendin e tij”, ka thënë Capussela.
Në vitin 2010, Hamza ishte zëvendës i ish-ministrit të financave, Ahmet Shala, ky i fundit pati mbështetur komandantin e UÇK-së, kur ai kërcënoi Rexhepin për ta bindur atë për të thyer ligjin.
Në këtë kontekst, ish zyrtari i ICO-së shtroi disa pyetje:
“Por tani, çfarë do të ndodhë në qoftë se ky person kërkon nga guvernatori Hamza për të nxjerrë pë të nxjerrë një licencë sigurimi apo licencë bankare, pa bërë shumë pyetje? Si do ti mbikëqyrë guvernatori Hamza, bankat, si do të sillet ai me bankat që nuk kanë të bëjnë me miqtë e tij të partisë, a do të jetë i drejtë, a do të përpiqet të dobësojë ato apo t’i shtyjë përpara!?”
Sistemet bankare janë gjëra delikate, dhe pasojat mund të jenë katastrofike. Sipas Capussela, ky kontroll mbi BQK-në rrezikon paratë e kosovarëve dhe ekonominë e Kosovës. Ky është një rrezik për sigurinë e depozitave bankare, të politikave të sigurimit, të fondit të privatizimit në Kosovë, të fondit të pensioneve etj./Indeksonline/