Një muaj paraburgim dy grabitësve
Policia në Mitrovicë, gjatë ditës së djeshme ka dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake në gjykatën themelore në Mitrovicë, dy të dyshuarit e arrestuar për vepër penale të grabitjes. Arrestimi i dy të dyshuarve është kryer nga njësitë policore të stacionit jugu në Mitrovicë, vetëm pak minuta pas aktit të kryer të grabitjes së armatosur.
“Rasti i grabitjes është raportuar ditën e diele, 31 mars, 2013, rreth 20minuta, pas mesnatës, në rrugën “Hekurudha e Selanikut” në Mitrovicë, ndërsa viktima mashkull i përkatësisë etnike shqiptar, ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës”, ka thënë kapiten Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë në Mitrovicë.
Në rastin e raportuar të grabitjes, viktima 25 vjeçar, ishte vënë nën kërcënim të dy personave të maskuar dhe të armatosur me armë automatike, duke u detyruar që grabitësve tua jepte paratë nga xhepi dhe një telefon celular. Nuk është raportuar për të lënduar.
Me të kryer aktin e grabitjes, të dyshuarit, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas kanë shtënë tri herë me armë ndërsa janë larguar me ndihmën e një veture, thuhej në deklaratën e viktimës.
Aktivizimi i planit operativ, “unaza e çeliktë” nga stacioni policor jugu në Mitrovicë, në kërkim të dyshuarve, ka rezultuar suksesshëm me identifikimin e veturës së dyshuar dhe arrestimin e dy personave si të dyshuar kryesor për përfshirjen e tyre në rastin e grabitjes.
Vetura e cila i përshtatej përshkrimit të dhënë, është ndaluar vetëm 20 minuta, pas incidentit të raportuar, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Shupkovc.
Veç arrestimit të dyshuarve, F.B 1989, dhe G.S.1988, të përkatësisë etnike shqiptar, në veturën e tyre, tip “Ford Fiesta” ngjyrë e zezë, pa targa të regjistrimit, janë identifikuar edhe arma automatike “AK-47” së bashku me 11 fishek të kalibrit 7.62 x 39 mm.
Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes, hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës, kanë arritur që të gjejnë edhe një maskë e cila besohet se i përkiste kryesve të aktit kriminal ndërsa një telefon celular që besohet se i përkiste viktimës, është identifikuar gjithashtu si pjesë e provave materiale.
Ndaj të dyshuarve të arrestuar, me vendim të prokurorit të shtetit, fillimisht iu është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, për vepër penale “Grabitje” në bashkëveprim, ndërsa të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë, me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, në seancën dëgjimore në departamentin për krime të rëndë në gjykatën themelore të Mitrovicës.