Ministri Rexhepi, në interpelancë
Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, do të përballet me deputetët në seancën e radhës. Kryesia vendosi që të premtën, Rexhepi të raportojë në Kuvend lidhur me dyshimet për keqpërdorime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfshirë kontratën e pasaportave biometrike me kompaninë austriake OESD.
Ndërkohë, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, kanë qëndrime të ndryshme rreth votimit të mocionit për shkarkimin e ministrit Rexhepi. Adem Grabovci, nga PDK-ja, kërkon respektimin e ligjeve dhe institucioneve shtetërore.
“Nuk kemi nevojë t`i kemi votat as për ta mbrojtur dikënd e as për ta sulmuar dikënd. Procedurat janë shumë të qarta se kush kënd e shkakrkon. Unë nuk kërkoj as më shumë e as më pak se sa respektimin e ligjeve në fuqi dhe respektimin e institucioneve shtetërore”, tha Grabovci.
Në anën tjetër, Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se do ta mbështesin Vetëvendosjen në mocionin për shkarkimin e ministrit Bajram Rexhepi, raporton rtk.
“Kjo qeveri është tërësishtë qeveri e skandaleve dhe e cila e meriton të ndëshkohet. Ne do të votojmë që të merren masa në Ministrinë e Punëve të Brendshme e në këtë rast edhe ndaj vet ministrit”, tha Beqiri.
Kryesia vendosi që edhe këtë javë të mbahen dy senaca. Të enjtën do të jetë vazhdim i seancës së kaluar. Ndërsa, në seancën e rregullt do të jetë një mocion, dy ligje në shqyrtim të dytë dhe tri debate parlamentare. Ndryshe, me kërkesën e grupit parlamentar të LDK-së, të hënën do të mbahet seancë solemne, që i kushtohet Betejes së Koshares./Indeksonline/