Fillon edhe një takim i përbashkët
(E plotësuar) Pas orës 21:00, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka nisur edhe një takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Ivica Daçiq, pas disa takimeve të ndara që ka zhvilluar me të dyja delegacionet.
Më herët, baronesha Ashton kishte zhvilluar takime të ndara me palën kosovare dhe serbe.
——————-
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se takimi ndërmjet dy kryeministrave është ndërprerë me kërkesë të delegacionit serb, transmeton ktv. Delegacioni serb e ka ndërprerë takimin për t’u konsultuar.
Sipas Kuçit, takimi pritet të vazhdojë së shpejti dhe , siç ka thënë ai “ne mbesim optimistë për arritjen e një marrëveshjeje sonte”
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se “ ne jemi të përgatitur mirë dhe të gatshëm për të marrë vendime në interes të qytetarëve dhe vendit tonë”.
Pak çaste më parë, burime brenda bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bëjnë të ditur se takimi ka rezultuar me përplasje të ashpra ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Mësohet se gjatë bisedimeve, kryeministri Thaçi, në njërën anë dhe Daçiq e Vuçiq, në anën tjetër, kanë ngritur zërin ndaj njëri – tjetrit.
————————
Bisedimet në Bruksel kanë hasur në vështirësi dhe aktualisht janë në krizë, mëson “Blic” nga burimet e saj diplomatike në Bruksel. Siç raporton ky portal, dialogu ndërmjet zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit, Hashim Thaçi në prani të shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton është udhëhequr me “tone të larta”.
“Atmosfera është e tensionuar, kjo është shumë e dhimbshme. Edhe pse ka pasur mosmarrëveshje, madje ka pasur edhe tone të larta nga të dy anët, të gjithë janë duke shpresuar se mund të arrihet një kompromis”, thotë burimi i “Blic” nga Brukseli.
—————
Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në mes serbëve dhe shqiptarëve në Bruksel.
Vulin, i cili është pjesë e delegacionit serb në dialog, ka thënë se takimi është duke vazhduar. Sipas tij, brenda është duke biseduar për tema të ndjeshme, por nuk ka specifikuar se cilat janë ato.
————-
Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Catherine Ashton ka deklaruar se dialogu Prishtinë – Beograd ndodhet në një fazë kyçe dhe se po punohet që të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje.
E pyetur nëse Brukseli i ka dorëzuar palëve ndonjë draft me propozime që duhet të nënshkruajnë në fund, Kocijancic ka thënë se nuk mund të konfirmojë këtë.
“Jo . këto janë negociata. Ata po bisedojnë për çështje konkrete. BE është vetëm ndërmjetës. Nuk mund të konfirmojë ekzistimin e ndonjë dokumenti,vetëm mund të them se po punojmë me krejt fuqinë që të kemi marrëveshje për çështjet që janë në tavolinë” ka thënë Kocijancic.
Ajo nuk ka mundur të thotë nëse do të ketë edhe ndonjë takim të ri ndërmjet palëve.
—
Në këto momente ka filluar takimi mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq. E pranishme në takim është edhe baronesha Catherine Ashton./Indeksonline/

—
Sapo ka përfunduar takimi Ashton-Thaçi. Indeksonline ka mësuar se pas pak do të jetë përmallja Thaçi-Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton./Indeksonline/
Zyra e Catherine Ashton, ka njoftuar se Baronesha tashmë ka përfunduar takimin me palën serbe, ndërsa ka filluar takimin bilateral me delegacionin kosovar të kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi./Indeksonline/
—
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Ne jemi këtu për të arritur marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të lëvizë përpara edhe shtetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonin në perspektivën evropiane”.
“Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta”, ka thënë Thaçi, duke theksuar qëndrimin në favor të fqinjësisë së mirë.
Në një prononcim në gjuhën angleze, kryeministri i Kosovës, ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi, para takimit me Baroneshën Ashton./Indeksonline/
—-
Rreth orës 10.30 baronesha Katherin Ashton ka filluar takimin me delegacionin ser b të udhëhequr nga kryeministri, Ivica Daçiq.
—
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Katherin Ashton, në çdo moment pritet të takoi delegacionin serb të udhëhequr nga kryeministri Ivica Daçiq.
Pas përfundimit të këtij takimi, ajo do të ulet të bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Takimi i trepalësh do të filloi pas këtyre takimeve bilaterale.
Në Bruksel sot fillon raundi i tetë i bisedimeve në nivel kryeministrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, në takimin që do të zhvillojnë bashkërisht me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do të diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Takimet pritet të nisin në orët e mesditës.
Një ditë më parë, para nisjes në Bruksel, zoti Thaçi, ka thënë se delegacioni i tij shkon në Bruksel me synimin për të arritur marrëveshje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Thaçi ka siguruar se nëse arrihet marrëveshja, zbatimi i saj do të nisë menjëherë.
“Kosova ka planin e vet veprues, të konsultuar me faktorin ndërkombëtar. Do të krijohen kushte për lëvizje të lirë në gjithë territorin dhe këtu nënkuptohet hapja e të gjitha rrugëve për qarkullim”, ka thënë Thaçi.
Ai edhe njëherë ka theksuar se çdo hap do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin Ahtisaari.
Gjithashtu të hënën, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka bërë të ditur se në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shkojë edhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo, sipas Nikolliqit, tregon për unitetin e udhëheqjes më të lartë shtetërore të Serbisë në bisedimet me Kosovën.
Sipas tij, Serbia nuk kërkon idealen, porse “ajo që kërkon Prishtina nuk do të jetë kurrë e mundur”.
Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Daçiq, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, e që në Beograd asociacioni njihet me emrin “bashkësi”.
Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm./Indeksonline/