Enver Hoxhaj e Shpend Ahmeti synojnë Prishtinën?
Enver Hoxhaj i PDK-së, Isa Mustafa i LDK-së, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes dhe Besnik Tahiri i AAK-së pritet të ballafaqohen në garën për Kryetar të Prishtinës në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.Zyrtarë të PDK-së që nuk kanë dashur t’iu përmendet emri, kanë thënë se ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj është aktualisht emri i tyre për kryetar të Prishtinës.
Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj për Standardi.info nuk e ka mohuar as pohuar kandidaturën e mundshme të Enver Hoxhajt për të garuar në kryeqytet.
“Nuk e di për besë. Ende nuk kemi biseduar me qendrën. Nuk mundem me ta pohu e as mohu kandidaturën e tij”, ka thënë Çelaj për Standardi.info.
Edhe pse Blerand Stavileci është përfolur si kandidat i mundshëm për Prishtinën, sipas burimit, Thaçi ka vendosur ta “sakrifikoi” ministrin e tanishëm të Punëve të Jashtme që me çdo kusht ta fitojë kryeqytetin.
Ndërkohë që burime të Standardi.info kanë thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të kandidoj me Isa Mustafën, i cili pastaj planifikon të jap dorëheqje kur të mbahen zgjedhjet parlamentare.
“Kandidati tjetër i LDK-së është edhe ekonomisti Lumir Abdixhiku”, ka thënë një zyrtar i LDK-së. As në LDK nuk kanë pranuar të flasin për kandidaturën e mundshme për Prishtinën.
Zëdhënësi i kësaj partie, Fidan Jupolli ka thënë se përgjegjës për t’u deklaruar rreth kësaj çështje është sekretari Ismet Beqiri.
“Telefononi Ismet Beqirin, ai është sekretar në parti”, ka thënë shkurt Jupolli. Mirëpo, Beqiri nuk është përgjigjur në telefon për të dhënë versionin e tij.
Kandidaturën e Shpend Ahmetit për Prishtinën e kanë pranuar si opsion edhe në lëvizjen e Albin Kurtit. Por, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi ka thënë se gjithçka do të vendoset në organet e Lëvizjes.
“Mundet të jetë si opsion Shpend Ahmeti, mirëpo për këtë vendosin delegatët në bazë të statutit të partisë”, ka thënë Vraniqi.
Partia e katërt për nga votat, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të rikandidoj Besnik Tahirin. Zyrtarizimin e Tahirit për Prishtinën e ka publikuar vetë shefi i partisë, Ramush Haradinaj.
Ndryshe gara për kryeqytet vlerësohet si më e ashpër në mes LDK-së dhe PDK-së./e.i