Kalo te lënda

Berisha: Mazhorancë edhe pa LSI-në

fotoCAD862SSKryeministri Sali Berisha nisi me komentimin e zhvillimeve të fundit politike në vend takimin e radhës me gazetarët, takim i parashikuar për të bërë publik programin e Partisë Demokratike për bujqësinë dhe zhvillimin rural në katër vitet e ardhshme, nëse kjo forcë politike do të sigurojë një tjetër mandat në zgjedhjet e 23 qershorit.

Berisha i qendroi deklaratës së lëshuar paraditen e së martës në profillin e tij në rrjetin social Facebook, ku tha se cdo parti politike është e lirë dhe e pavarur të vendosë për interesin dhe të ardhmen e saj.

“Nuk mundet që unë të mos plotësoj kërkesën e parashtruar që lexoj në sytë e secilit prej jush lidhur me komentin tim për zhvillimet e fundit në vend, ndaj komenti im është ky: lajmet për largimin, për mundësinë e largimit të LSI nga qeveria, personalisht jam shprehur në mënyrë të përsëritur që cdo forcë politike është e lirë dhe e pavarur të marrë vendimet që i konsideron në interesin më të mirë për veten e saj dhe të ardhmen”, tha Berisha.

Si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Demokratike, Berisha tha se është i angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në standardet më të larta. Sipas Berishës, boshllëqet e krijuara nga largimi i mundshëm i LSI-së janë të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, shkruan TCH.

“Sa më përket mua si kryeministër dhe Partisë Demokratike dua të theksoj se kjo kohë është koha e përgjegjësisë më të madhe të qeverisë ndaj edhe unë mbetem shumë i vendosur që qeveria të bëjë gjithcka për të garantuar një proces zgjedhor të standardeve më të mira ndërkombëtare, një proces në respekt të ligjit shqiptar të zgjedhjeve dhe Kushtetutës. Së dyti problemi që krijohet nga një vendim i tillë, është një problem që ka zgjidhje të plotë në Kushtetutën e vendit, që është një Kushtetutë demokratike e standardeve më të avancuara. Ka marrë fund koha kur Kushtetuta linte dy palë ministra në këtë vend. Ajo është qartësuar me ndërhyrjet që i bëri PD dhe PS dhe nuk lë vend për asnjë lloj boshllëku dhe komenti. Garantoj që kjo Kushtetutë do zbatohet pikër për pikë. Së treti duke punuar si kryetar qeverie në interesin më të mirë të qytetarëve, siguroj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike se ndjehem më i motivuar se kurrë, më me energji se asnjëherë për t’i udhëhequr ata drejt një fitoreje spektakolare në zgjedhjet e 23 qershorit në mandatin e ri krejtësisht të merituar”, tha kryeministri.

Kryeministri la të kuptohej se do të zëvendësoheshin ministrat e LSI-së nëse kjo e fundit do të marrë vendimin për të kaluar në opozitë.

“Kjo është jashtë imagjinatë që një forcë politike të jetë edhe në qeveri edhe në opozitë. Patën një moment shqiptarët, pas zgjedhjeve të fundit lokale, që kishin kryetarin e Bashkisë Tiranës dhe në bashki edhe në opozitë, por shqiptarët e hoqën”, tha Berisha.

Me largimin e LSI-së me shumë gjasa humbet mazhoranca mbështetëse e qeverisë në Kuvend. Një lëvizje e tillë, e shoqëruar me mocion mosbesimi e besimi nga kryeministri mund ta çojë në zgjedhje të parakohëshme.

Për kryeministrin Berisha zgjedhjet e parakohëshme janë të papërshtatëshme sepse do të kufizonin edhe vetë numrin e vëzhguesve ndërkombëtarë që janë ftuar në këtë proces. Berisha më tej shtoi se qeveria do të vazhdojë të funksionojë kompakte dhe se ajo ka numrat e nevojshëm në Kuvend për të qenë e qendrueshme.

“Zoti Rama kishte rrahur gjoksin se më së fundi fitova, se do shkojë në zgjedhje me qeveri teknike, por humbi përsëri. Por kjo është mjeshtëria e tij, humbja është arti i tij. Pa diskutim, në këtë periudhë më shumë se kurrë, qeveria duhet të jetë e plotë, aktive dhe kompakte, për t’iu përgjigjur kërkesave të momentit themelor, kyç të zhvillimit të demokracisë, që janë zgjedhjet e përgjithshme. Natyrisht, unë u shpreha, mazhoranca ekziston në parlament”, tha Berisha.

Kryeministri tha se vendimi i LSI-së ishte i padëmshëm për qeverisjen e vendit në këtë periudhë.

“Vendimi është pa pasojë. Qeveria do të riformatohet me mbështetje të qartë, me mazhorancë të qartë në parlament dhe do përmbushë detyrimet e veta ndaj qtyetarëve. Nuk mund të them se do të krijojë një pasojë”, tha Berisha.

Më tej fjala e kryeministri vijoi me programin e Partisë Demokratike për bujqësinë. Berisha tha se në dy javët e fundit është përpunuar me ndihmën e specialistëve një program për zhvillimin e këtij sektori, mes të cilëve edhe një projekt-pilot që do të zbatohet në Lushnje./Indeksonline/
http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=YnS-nr7QIqA

Lini një koment