Analistët: Do të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi
Analistë kosovarë vlerësuan të martën për Telegrafin se në Bruksel në raundin e tetë të bisedimeve Kosovë-Serbi do të arrihet marrëveshje.
Analisti, Ardian Arifaj tha për Telegrafin se marrëveshja ndërmjet Kosovës e Serbisë do të arrihet në parim, ku palët do të detyrohen të merren vesh, që nënkupton fillimin e ndryshimit të gjendjes në veri.
Ai ka deklaruar se nuk pret që pas arritjes së marrëveshjes në mes Prishtinës dhe Beogradit, do të ndodhë destabilizimi i veriut të Kosovës, sepse sipas tij, tashmë Serbia nuk dëshiron të duket destruktive.
“Serbia e ka dëshmuar që çdo herë kur dëshiron me i kontrollu strukturat në veri e arrin këtë dhe kësaj radhe asaj nuk i konvenon destabilizimi i asaj pjese”, u shpreh Arifaj.
Edhe analisti Nexhmedin Spahiu, beson që sot në Bruksel do të arrihet marrëveshja në mes Prishtinës dhe Beogradit, duke pasur parasysh sipas tij, që deri më tani ajo që është folur është se Kosova ka bërë lëshime të mëdha.
Sipas tij, pozicioni i serbëve në Kosovë do të jetë më i favorshëm se ai në ‘Republika Sërbska’ në Bosnje, duke marrë parasysh fondin zhvillimor për veriun, të ardhurat dhe mënyrën si do të mbushet ky fond.
Ai ka thënë se Serbia e kontrollon veriun dhe sipas tij, veriu do të jetë me telashe nëse Beogradi dëshiron ta paraqet një situatë të tillë në atë pjesë.
“Në qoftë se Beogradi ju thotë serbëve të Kosovës se po nënshkruajmë marrëveshjen me Prishtinën, dhe ju bëni probleme atëherë atje do të ketë probleme dhe e kundërta. Stabiliteti në veri, varet se sa Beogradi do të jetë i sinqertë dhe sa do të ja ‘mbledhin bet’ në Bruksel. Telashet do të evitohen vetëm nga ajo se sa seriozisht do ta kuptojnë këtë çështje Beogradi , pastaj edhe Brukseli”, ka deklaruar Spahiu.
Në anën tjetër, analisti Adriatik Kelmendi, theksoi se fjalët kanë qenë të mëdha nga baronesha Ashton dhe nga kryeministri Thaçi për marrëveshjen që do të arrihet në këtë raund, ku sipas tij, ata kanë lënë të kuptohet se marrëveshja do të arrihej edhe në raundin e kaluar sikur mos të ishte refuzimi nga Aleksander Vucic, kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në koalicion me partinë e Dacicit.
Ai tha se sot sipas delegacionit të Kosovës shkohet vetëm për të konkretizuar planin e veprimit, të cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren në veri, duke filluar nga heqja e barrikadave, shuarja e strukturave paralele si dhe përgatitja për zgjedhjet lokale.
“Gjithçka me dokumentin sipas palës kosovare është në rregull. Nëse arrihet marrëveshja ka gjasa që do të ketë protesta në veri, edhe në pjesë tjera të Kosovës , pasi që do të ketë njerëz të pakënaqur që mund të shohin kurthe si për palën serbe ashtu edhe për palën shqiptare”, ka deklaruar Kelmendi. /Telegrafi/