Kalo te lënda

Zhbllokohet Jarinja

f_0401140809547_m(E plotësuar) Ka përfunduar protesta e organizuar me automjete nga ana e serbëve në pikën kufitare Jarinjë, me ç’rast është normalizuar qarkullimi i automjeteve në këtë pikë kufitare.

Mësohet se kolona e automjeteve pas bllokimit të kufirit përreth gjysmë ore është kthyer në drejtim të Mitrovicës dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Ndryshe, dhjetëra persona me rreth 100 automjete kanë marrë pjesë në protestën e organizuar të hënën nga strukturat ilegale në veri, me moton “Kurrë kufij” dhe në kundërshtim me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.


Ashtu siç ishte paralajmëruar, rreth 100 automjete të ndryshme kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga strukturat ilegale në veri, duke parakaluar nga Mitrovica në drejtim të pikës kufitare Jarinjë, në shenjë proteste kundër bisedimeve të Brukselit.

Burime të Kosovapressit, nga veriu, kanë bërë të ditur se rreth 30 automjete me qytetarë serbë janë nisur rreth orës 13:00 nga sheshi ‘Shumadija’ në veri të Mitrovicës në drejtim të Rudarës, ndërsa edhe nga Zveçani po thuajse në të njëjtën kohë janë nisur rreth 50 automjete.

“Në Leposaviq janë duke pritur kolonën e automjeteve rreth 30 automjete tjera të cilat po bartin flamuj dhe simbole tjera serbe”, kanë thënë burimet, duke shtuar se motoja e kësaj proteste është “Kurrë kufij”.

Pritet që kolona e automjeteve sapo të arrijë në destinacionin e paralajmëruar, të qëndrojë aty përreth gjysmë ore, duke mbajtur të bllokuar qarkullimin Kosovë-Serbi dhe anasjelltas në kufirin e Jarinjës.

Mësohet se nuk ka prezencë të shtuar të forcave të sigurisë afër Jarinjës, ndërkohë që ushtarët e KFOR-it janë duke vëzhguar situatën nga kampi amerikan “Nothing Hill’ që ndodhet në afërsi të Leposaviqit.

Lini një koment