Qëndrime të ndryshme për dialogun
Ky takim ka gjasa të mëdha të sjell një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrai thotë se gjërat duket se do të kthehen për së mbari në këtë pjesë të Kosovës. “Fatkeqësisht Mitrovica me specifikat e veta që i ka qe 14 vjet është vazhdimisht e mobilizuar për të qenë syçelë. Por të jem i sinqertë unë po pres më në fund se situata do të ndërroj për të mirë dhe atë do të ndërroj shumë shpejt për të mirë”, ka thënë Kastrati.
Jo më pak optimist duket edhe zëvendësshefi i Qendrës Administrative në Veri, Dushan Mirosavlleviqi. “Qeveria e Prishtinës dhe ajo e Beogradit kanë mjaft presion nga faktori ndërkombëtarë që takimi i fundit të jetë i suksesshëm dhe të arrihet ndonjë marrëveshje. Ne sinqerisht dëshirojmë që të gjendet ndonjë kompromis ku të dyja palët do të jenë të kënaqura. Shpresojmë që pas 2 prillit të kemi një situatë të qetë dhe me zhvillim më të lartë ekonomik. Pritjet e njerëzve janë të ndryshme.
Njerëzit duan ta ndjejnë lëvizjen e lirisë dhe të kryejnë aktivitetet e tyre ditore”, ka thënë Mirosavleviq, transmeton RTK. Por, banorët e veriut serbë e shqiptarë nuk presin aq shumë ndryshime pas 2 prillit. Sedat Rama banor i Kroit të Vitakut thotë se nuk beson se ndonjë marrëveshje mund të përmirësoj jetën e këtyre njerëzve. “Unë nuk besoj ne jemi qe sa vite këtu pa siguri me premtime të kota të secilës qeveri që vjen. Thjeshtë unë nuk besoj se gjërat mund të përmirësohen”, ka thënë Rama.
Edhe banorja serbe, Zorica Milenkoviç thotë se nuk pret që gjërat mund të ndryshojnë. “Nuk kemi çka të presim ma, kemi pritur mjaft le të bëhet çfarë të bëhet, vetëm Zoti mund të na ndihmojë. Absolutisht asgjë më mirë nuk do të jetë, sepse asgjë deri tash nuk është bërë. Dua vetëm të jetojë e lirë të shkojë ku të dua dhe nuk më intereson as kush është kryetarë apo politikanë, duam vetëm të jetojmë”, ka thënë Milenkoviç. Sidoqoftë pavarësisht shpresave dhe pritjeve një marrëveshje në Bruksel gjithsesi pritet të reflektoj në jetën e këtyre njerëzve në kë pjesë të Kosovës që vazhdojnë të jetojnë disharmoni etnike./standardi.info