Prishtina e vendosur që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive
“Të pranohet çfarëdo marrëveshjeje që është në përputhje më Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të mos pranohet asnjë marrëveshje, e cila bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, është parimi nga i cili do të udhëzohet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kur të jetë gjetur të martën në Bruksel përballë homologut të tij nga Serbia, Ivica Dacic. Kështu ka thënë Bekim Çollaku, këshilltar i Thaçit.
Ai ka treguar se në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në takimin e 2 prillit në Bruksel, të dy kryeministrat, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do të trajtojnë çështjet që janë diskutuar në tri raundet e fundit: krijimi i Asociacionit të komunave serbe, funksioni dhe detyrat e tij, shkruan “Koha Ditore”.
Këshilltari i kryeministrit ka thënë se Prishtina nuk do të pranojë që Asociacioni të marrë kompetenca ekzekutive konform insistimit të Beogradit.
“Prishtina nuk do të pranojë asnjëherë që Asociacioni i komunave serbe të ketë kompetenca të ligjbërjes, që të ketë Gjykatë të Apelit e as që të ketë formacione të veçanta policore. Asnjë lloj asociacioni nuk mund të ushtrojë kompetenca që i përkasin nivelit qendror”, është shprehur ai.
Sipas tij, zgjidhja që do të ofrojë Prishtina është e paraparë edhe me Pakon e Ahtisaarit, me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës.
“Domethënë një Asociacion i cili në fusha të caktuara mund të marrë përgjegjësi të përbashkëta për zbatimin e çështjeve të caktuara që ndërlidhen ekskluzivisht me nivelin komunal dhe asgjë tjetër”, ka thënë ai. “Njësoj siç është e paraparë edhe për Asociacionin ekzistues të Kosovës, në të gjitha fushat që janë të parapara me Ligjin për vetëqeverisje lokale mund të ushtrohen përkohshëm dhe jo përhershëm nga Asociacioni në fusha të interesit të përbashkët, ku mund të jenë edukimi, shëndetësia, ambienti e të tjera që janë të theksuara në Ligjin për vetëqeverisje lokale”.
Çollaku ka theksuar se Prishtina nuk do të lëshojë pe nga qëndrimi i saj dhe se marrëveshja do të mund të arrihej nëse Serbia do të hiqte dorë nga insistimi që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. /Telegrafi/