Kalo te lënda

Prishtina e gatshme për 2 prill, presin Beogradin

403x30259984flamuri_i_kosoves_KopiePrishtina zyrtare shprehet e gatshme të arrijë marrëveshje me Beogradin në takimin e 2 prillit në Bruksel, nëse ajo mbështetet në draftin e propozuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Një ditë para takimit të cilësuar si final të 2 prillit, këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku i ka thënë Radios Evropa e Lirë se drafti i propozuar nga baronesha Ashton, me disa vërejtje, është i pranueshëm për Prishtinën. Duke e lënë suksesin apo dështimin e këtij procesi në fushën e palës serbe, Çollaku tha po ashtu se Kosova është e gatshme për marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, dhe pret që edhe Serbia të reflektojë njësoj.

 

“Sa i përket palës tonë, ne jemi të gatshëm që mbi ato pika të cilat janë adresuar mund të arrijmë marrëveshje qysh nesër. Presim që edhe pala tjetër, në këtë rast Serbia, të vijë me qëndrime shumë më pragmatike sesa deri më tani nëse ata me të vërtetë janë të interesuar për këtë marrëveshje apo jo. Apo ndoshta ata janë duke u përgatitur për një opsion tjetër e që mund të jetë opsioni i shpalljes si të dështuara të këtyre bisedimeve”, ka thënë Çollaku.

 

Dallimet kryesore midis palëve në bisedime kanë të bëjnë me kompetencat e një trupi që do të formohej si rezultat i këtij procesi negociues, i quajtur asociacioni i komunave serbe.

 

Beogradi ka kërkuar që ky trup të ketë kompetenca ekzekutive duke krijuar një pushtet të tretë me përgjegjësi në fushën e sigurisë, drejtësisë, arsimit, kulturës e shëndetësisë.

 

Përderisa Prishtina, ka kërkuar që ky asociacion të bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke përjashtuar çfarëdo mundësie që atij t’i jepen kompetenca ekzekutive. Bekim Çollaku thotë se Kosova nuk mund të pranoj një zgjedhje e cila do ta krijonte një problem edhe më të madh sesa që ekziston aktualisht.

 

“Ajo çfarë ka insistuar nga fillimi pala e Serbisë ka qenë formimi i nivelit të tretë të pushtetit për pjesën veriore. Kjo gjë natyrisht që ka qenë e papranueshme nga ana e jonë si një opsion totalisht i parealizueshëm. Por, ka qenë e papranueshme edhe nga vet ndërmjetësuesi, në këtë rast nga BE-ja dhe baronesha Ashton sepse nuk mund të adresohet një problem i kësaj natyre siç ëshët veriu i Kosovës duke krijuar një problem edhe më të madh sesa që e kemi aktualisht”, ka thënë Çollaku.

 

Në anën tjetër, Beogradi në disa raste e ka pranuar se gjendet para një situate jo të lehtë të zgjidhjes.

 

Suksesi i këtyre bisedimeve për Serbinë është kushti kryesor që të fitojë apo të humbas datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Analistët politikë në Beograd e kanë cilësuar këtë si një gjendje ku Serbia do të zgjedh mes integrimeve apo izolimit. Kurse drejtori i zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Alensander Vulin u ka thënë serbëve në veri të Kosovës se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet pa pëlqimin e tyre.

 

Ai e ka përjashtuar mundësinë që Beogradi të bëjë ndarjen e serbëve në veri dhe atyre që jetojnë në viset tjera të Kosovës, duke thënë se marrëveshja eventuale do t’i trajtoj të gjithë njësoj. “Serbia dëshiron të bisedojë dhe arrijë marrëveshje, por çdo vendim që do të merr, do ta pyet parlamentin dhe popullin e vet para se ai të jetë përfundimtar. Çfarë marrëveshje mund të arrihet nëse ajo nuk pranohet nga serbët e Kosovës”, ka thënë Vulin.

 

Nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë zhvilluar shtatë raunde bisedimesh në Bruksel. Kurse takimi i tetë, ai i 2 prillit, është paralajmëruar të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshje me të cilën jo vetëm që do të vendosej një fillim i normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve, por edhe do të krijonte një marrëveshje bazë për zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës ku Serbisë i është kërkuar t’i largojë strukturat e saj paralele./standardi.info

Lini një koment