Në horizont bashkimi i të majtës shqiptare?
Nga dje dhe sot vijuan apelet e përfaqësuesve të së majtës evropiane që kërkuan bashkimin në aleancë të PS dhe LSI për zgjedhjet parlamentare. Sipas së majtës evropiane, nëse Meta bëhet bashkë me Ramën, vetëm në këtë mënyrë largohet Berisha nga qeverisja dhe vendi integrohet në BE. Ndërsa apelet vijonin, paradite u shënua në kryeministri një takim i Berishës me Metën, raporton BW. Kreu i LSI komentoi shumë shkurt mbi aludimet për një marrëveshje të mundshme mes PS e LSI.
Ndërkohë burime nga selitë e partive konfirmojnë se ka një marrëveshje mes Ramës dhe Metës.
Burime brenda PS e LSI konfirmuan për “News 24” se realisht është bërë një marrëveshje mes Ramës dhe Metës.
“PS miraton 3 ligjet, LSI ikën nga qeveria me Berishën”, është thelbi i marrëveshjes mes PS dhe LSI.
Ndërkohë nesër Kryesia e Partisë Socialiste fton zyrtarisht LSI për koalicion.
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim në Kryeministri me kreun e LSI-së Ilir Meta.
Takimi mes kryeministrit Berisha dhe aleatit të tij Meta vjen vetëm një ditë pasi zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Gianni Pittella i bëri thirrje kreut të LSI-së Ilir Meta që të bashkohet me PS-në për të arritur një fitore në 23 qershor.
Po sot, apeleve iu shtua thirrja e Presidentit të Internacionalistet Socialiste Jorgos Papandreu. Papandreu iu drejtua dy kryetarëve të partive të majta, PS dhe LSI që të bashkëpunojnë në këto zgjedhje parlamentare me qëllimin e vetëm që të largojnë nga pushteti kryeministrin Berisha.
Pas apeleve nga jashtë vendit, sot Berisha priti në Kryeministri Meten. Takimi është zhvilluar për 40 minuta ndërsa në fokus të bisedimeve mendohet të ketë qenë koalicioni parazgjedhor mes LSI-së dhe Partisë Demokratike.
Ilir MetaI ndodhur rreth mesditës në ambientet e ‘Rogner”, u pyet nga mediat se për çfarë diskutoi me kryeministrin Sali Berisha sot paradite. Por kreu i LSI vlerësoi se meqë sot është 1 Prilli, nuk ka vlerë asnjë deklaratë.
Meta preferoi të përgjigjej shumë shkurt për mediat. “Sot është 1 prill dhe në 1 prill nuk ka vlerë të bëhet ndonjë deklaratë se nuk e di sa e besueshme do jetë deklarata”.
I pyetur mbi apelet që po bën e majta evropiane, që LSI dhe PS të jenë bashkë në zgjedhjet parlamentare, Meta tha se “këto janë qëndrime të cilat në fund fare do i vlerësojnë forumet e LSI”.
Ndërkohë, deputeti i LSI, Lefter Koka, në një prononcim për mediat theksoi se nuk ka asnjë ftesë zyrtare të PS. Në një deklaratë për mediat, jashte sallës së Kuvendit, Koka ka thënë se zgjidhja që do të bëjë LSI do të jetë në shërbim të vendit dhe të saj.
“Kreu i LSI, zoti Meta e ka bërë të qartë që do të jenë strukturat e partisë që do të marrin vendimin e duhur në shërbim të Shqipërisë dhe të LSI-së”- tha ai.