GNK: Nuk do të ketë defunksionalizim të shtetit
Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Prishtinë, mendon se në këtë dialog presioni është i madh nga të dyja palët, por, sipas tij, e rëndësishme është se ka humbur dykuptimësia në këtë proces.
“Pritjet kësaj here janë më të mëdha që do të arrihet një marrëveshje, megjithatë ka kohë edhe për takime të tjera. Presioni është shumë i madh dhe për faktin që presioni është shumë i madh unë dyshoj që mund të kemi një marrëveshje të realizuar. Dallimet nuk kanë ndryshuar, dallimet esenciale që nga takimet e mëhershme dhe e dyta është dinamika politike nëpër kryeqytete në veçanti në Beograd e ka bërë të pamundur vendimin final të institucioneve serbe”, ka theksuar Rashiti për Kosovapress, duke shtuar se e rëndësishme është që në këtë proces ka humbur dykuptimësia e marrëveshjeve.
“Gjithsesi kjo përfshin edhe fazën implementuese dhe instrumentet implementues dhe më nuk do të lejohet që të kemi marrëveshje të cilat nuk do të implementohen. Dykuptimësia ka humbur deri në këtë fazë nuk kemi pasur aranzhmane dykuptimëplota, por për aranzhmane implementuese. Natyrisht situata në veri është e atillë që çfarëdo marrëveshje do të jetë e vështirë për implementim, por do të kërkojë angazhim serioz të të gjitha palëve, në veçanti do të kemi nevojë që i gjithë sistemi institucional dhe politik në Beograd të përkrahë marrëveshjet. Dhe ne Grupi Ndërkombëtar i Krizave mendojmë që miratimi i këtyre marrëveshjeve në qeveritë respektive dhe kalimi i tyre në parlamentet respektive do të sforconte më shumë aspektin implementues”, ka deklaruar ai.
Sa u përket propozimeve të ndryshme për statuse për veriun, Rashiti thotë se e rëndësishme është që nuk do të ketë defunksionalizim të shtetit.
“Në fund mund të vijë edhe një Ahtisaari plus, por varet se si interpretohet, një qasje fleksibile ndaj planit Ahtisaari sigurisht. Kjo duhet nënkuptuar gjithsesi se nuk është lehtë për të integruar atë pjesë. Kosova po përfiton shumë me integrimin edhe të asaj pjese në sistemin kushtetues. Tani për mua a kemi një Ahtisaari plus a po minus nuk çon peshë. E rëndësishme është që nuk do të ketë defunksionalizim të shtetit, do të ketë normalizim të situatës atje dhe nuk do të ketë pushtet të tretë, kjo është shumë e qartë”, ka shtuar Rashiti.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Prishtinë, konsideron se nga ky dialog do të përfitojnë të dyja palët, pasi që të dyja palët dëshirojnë integrim në BE. “Serbia futet në agjendën evropiane e merr datën, edhe pse do të ketë shumë kushte të tjera deri në fillimin e negociatave. Kosova siguron kontrollin mbi territorin në pjesën e saj dhe përmbush kriteret politike për Marrëveshje Stabilizim Asocimit. Ky dialog ka edhe elemente të kontrollit politike që i jepen nga BE-ja Kosovës dhe Serbisë”.
Të martën në Bruksel, pritet të mbahet raundi i tetë i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic, takim ky në të cilin pritjet janë se do të këtë marrëveshje midis palëve, marrëveshje kjo që sipas interpretimeve të Qeverisë së Kosovës, do të çojë në shpërbërjen e strukturave ilegale në veri të vendit dhe tërheqjen e të gjithë pjesëtarëve të MUP-it serb nga atje, për t’u pasuar me kthimin gradual të sovranitetit të plotë në gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/