Deri në 600 euro pensioni për deputet
Në një vendim të më hershëm Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar një nen të ngjashëm, me arsyetimin se “pensioni suplementar”, kishte tipare që më shumë ngjanin si një dhuratë pas punësimit, sesa si një pension tradicional, shkruan “Tribuna”.
Armend Zemaj, kryetar i Nën-komisionit për Mandate ka thënë se çështja e pensioneve kësaj radhe do të rregullohet ndryshe.
Ai ka thënë se deputetët do të marrin vetëm një pension nga buxheti i Kosovës.
“Aktualisht ne këtë po e quajmë si pension i deputetit deri sa të nxirret një ligj për pensionet suplementare. Futja e këtij neni për pensionin nuk ka të bëjë me vendimin e më hershëm të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Zemaj.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës ka qenë kryekëput politik por ka thënë se gjatë draftimit të ligjit e kanë pasur parasysh këtë vendim.
“Ne tash i kemi parasysh gjërat. Arsyeshmëria e vendimit të gjykatës ka qenë dallimi i madh mes pensioneve aktuale. Kjo tash është sanksionuar”, ka deklaruar Zemaj.