Dega e PDK-së në Viti ‘paqësohet’ këtë muaj?!
Aktualisht nuk ka ndonjë lëvizje pozitive për të përmbyllur procesin zgjedhor në Degën e PDK-së në Komunën e Vitisë. Kryetari aktual i kësaj Dege, Daut Xhemajli, beson se Kuvendi do të mbahet këtë muaj, por thotë se për këtë do të diskutohet me organet qendrore të partisë.
“Nuk ka diçka të re. Besoj që gjatë këtij muaji do të bisedojmë dhe do të qartësohet kjo çështje. Ka pasur obligime tjera Qendra edhe nuk jemi marrë me Vitinë”, ka thënë Xhemajli për Telegrafin.
Sipas tij, procesi zgjedhor nëpër nëndegë është kryer, ndërsa ka mbetur të mbahet vetëm Kuvendi. “Edhe Dega e Qytetit është ndarë në tri nëndegë. Edhe aty janë kryer zgjedhjet. Pakënaqësi ka, por jo edhe probleme”, ka thënë Xhemajli.
Në Degën e Vitisë është shtyrë përfundimi i procesit zgjedhor për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet fraksionit të Xhemajlit dhe një pjese tjetër të anëtarësisë së PDK-së, e cila e mbështet Nexhmedin Arifin, kryetar aktual i Komunës së Vitisë.
Xhemajli ka thënë se nuk kanë për çka të flasin me grupin e Arifit. “Tash janë kryer proceset e brendshme zgjedhore. Tash shkojmë në Kuvend. Nëndegët paralele nuk do të pranohen, sepse janë bërë nja dy a tri”, ka thënë Xhemajli. /Telegrafi/