Çitaku: Kemi shumë probleme
Në konferencën e sotme me temën, “Ballkani dhe Evropa” u tha se krerët e lartë institucionalë të Kosovës po dëshmojnë se nuk janë të interesuar që ta dëgjojnë zërin e të rinjve. Në konferencën e organizuar nga Grupi i të Rinjve të Prishtinës, ishin të ftuar ministra e zëvendësministra e të cilët nuk ishin të pranishëm. E vetmja ministre që ishte në mbështetje të këtyre të rinjve ishte Vlora Çitaku.
Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, e cila ishte e vetmja nga përfaqësuesit e institucioneve që iu përgjigj ftesës së Grupit të Rinjve, tha se rinia në Kosovë përballet me probleme të shumta. Por, sipas saj me fuqizimin e të rinjve do të krijohet një e ardhme më e mirë për ta.
“Kemi problem me papunësinë, me krim të organizuar dhe korrupsion, me zhvillim ekonomik. Mirëpo, sfidat që janë para nesh janë pakrahasimisht më të lehta se sfidat që tashmë i kemi tejkaluar si shoqëri. Dhe unë jam shumë e bindur se me fuqizimin e të rinjve këto plagë që na kanë mbetur do t’i shërojmë shumë më shpejtë”, tha ministrja Çitaku.
Në anën tjetër, deputetja Alma Lama u tha të rinjve se Kosova është pjesë e BE-së fizikisht dhe territorialisht, por jo edhe e organizimeve politike dhe ekonomike.
Ndërkohë, kryetari i Grupit të të Rinjve të Prishtinës, Andi Belegu, pohoi se përmes këtyre konferencave po synohet që të rinjtë të afrohen sa më shumë BE-së. Ndërsa, Ilir Deda nga Instituti KIPRED, tha se të rinjtë duhet që praktikisht ta shohin Evropën dhe të njihen me të.
“Plot flasin për integrime evropiane e për vlera evropiane, por ju duhet ta shihni se çka është Evropa, ju duhet ta keni mundësinë për t’i vizituar shtetet e BE-së edhe m’i pa se me 2-3 orë fluturim ajo Evropë është e mundur edhe në Kosovë”, tha Deda.
Konferenca “Ballkani dhe Evropa”, është organizuar nga Grupi i të Rinjve të Prishtinës, ku nga të rinjtë debatohet kryesisht për problematikat e shteteve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian./Indeksonline/