Berisha: Na bllokuan rrugën dhe na sulmuan
Serbët e plagosin rëndë një shqiptarë në Merdare
(I plotësuar) – Një shqiptar i Kosovës është lënduar rëndë të dielën mbrëma në territorin e Serbisë, pasi ishte detyruar të ndal autobusin me 55 udhëtarë në bord, në mes të malit, nga një makinë me targa të Nishit, e cila ia bllokoi rrugën.
Qazim Berisha, ngasësi i autobusit të kompanisë “BICI COM”, tha se nuk i di arsyet e sulmit, i cili ngjau pak kilometra pas kishte kaluar kufirin Kosovë-Serbi në Merdare.
“Incidenti ndodhi, ashtu që ata na kanë zënë rrugën, e nuk na lejonin me dal. Na ishim në autobus. Një makinë me regjistrim të Nishit, një (Volkswagen) Golf i kuq, edhe doli [njëri] para autobusit. Duke na sulmuar”, rrëfen viktima e sulmit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar këtë incident, i cili ka ndodhur rreth orës 22h, rreth një kilometër në brendi të Serbisë, pas kalimit të pikës kufitare në Merdare.
Sipas forcave të rendit, autobusi po qarkullonte në relacionin Kosovë-Austri, dhe se është ndalur nga persona të panjohur.
Shoferi i autobusit, ndërkaq ka dy plagë nga ky sulm, të cilat i janë shkaktuar me thikë nga njëri i të dyshuarve.
“Ata ishin dy ose tre, se një prej tyre qëndroi në veturë, por nuk e di saktë se sa ishin. Unë prej autobusit s’pata qare pa dal, sepse me më hy në autobus, unë nuk mundem me i lejua. Plus ka gjuajtur me gurë. Na kanë sulmuar me gurë, pastaj e kanë ndal veturën në rrugë. Unë kam dal prej autobusi për me e shkel dhe ashtu”, shpjegon ai.
Berisha thotë se në kohën e incidentit në autobus kishte 55 udhëtarë, fëmijë, gra e pleq, të cilët ishin tmerruar nga kjo ngjarje, e cila siç thotë ai ndodhi në mes të malit.
Por përveç, këtij tmerri, sipas shoferit, frika e udhëtarëve ka zgjat edhe më shumë, pasi ishin marr në pyetje nga policia e Serbisë për të sqaruar secili prej tyre incidentin.
Qazim Berisha, ankohet edhe se nuk ka marr asnjë ndihmë nga autoritetet e atjeshme, pasi ishte plagosur.
“I kishim 55 vetë në autobus. Ka pasur fëmijë, ka pasur pleq. Edhe na kanë maltretuar edhe më vonë, duke i marr pleqtë në pyetje, policia e serbëve. Nuk më kanë përcjell policia, as nuk më kanë pyet për atë punë [policia serbe]. E kam thirrë një veturë private, ka ardhur më ka marrë dhe më kanë dërguar për Podujevë”, sqaron ai.
Viktima e sulmit, për shkak të plagëve në gjoks dhe nënsqetull, është i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Për të sqaruar rrethanat e këtij sulmi, Policia e Kosovës thotë të ketë kontaktuar me Policinë e Serbisë nga të cilët kanë marr konfirmimin se janë në dijeni për rastin, dhe se po kërkojnë të dyshuarit që sulmuan këtë autobus.
* * * * *
Rreth orës 21.00 në pikën kufitare Kosovë- Serbi në Merdare serbët e kanë sulmuar një autobus të Kosovës, duke e lënduar rëndë Gëzim Bicin.
Autobusi ishte i agjencisë “Bici Com”, dhe e kishte destinacion Austrinë. I lënduari është sjellë në QKUK nga një shqiptar, i cili po udhëtonte me veturë drejt Kosovës dhe kishte qëlluar aty kur ndodhi ngjarja.
Bashkudhëtarët e tjerë të autobusit po merren në pyetje në një stacion policor të Serbisë.
Autobusi ishte sulmuar prej dy veturave serbe të cilat ishin ndalur në mes të rrugës, sapo autobusi e kishte kaluar kufirin, duke ia pamundësuar kalimin autobusit. Pas insistimit të udhëtarëve që të lirohet rruga, njëri nga serbët që ishte në veturë, ishte shtrirë në tokë.
Pas disa minutave kishte ndodhur një përleshje prej së cilës ishte plagosur shoferi i autobusit.
Viktima, rreth 40 vjeçar ndodhet aktualisht në QKUK, është jashtë rrezikut për jetë por plagët e tij janë afër zemrës.
Autobusi i njëjtë ka vazhduar rrugën për Serbi me destinacion final Austrinë, por pas tij kanë qenë edhe shtatë autobusë të tjerë, pesë prej të cilëve janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë. BS