Kalo te lënda

Zhdukja e Bleonës, shoqërohet kushërira. Akuzohet për bashkëpunim me Begzim Isën

1

Zhdukja e Bleonës, shoqërohet kushërira. Akuzohet për bashkëpunim me Begzim IsënKUKËS– Një 20- vjeçar është arrestuar në flagrancë mbrëmjen e djeshme në Kukës pasi akuzohet se rrëmbeu një fëmijë për qëllime trafikimi. Kapja e tij, hap një dritë jeshile edhe për zhdukjen e Bleona Matës në të njejtën zonë 3 vjet më parë. Policia por edhe familjarët dyshojnë se i riu ka gisht në zhdukjen e saj. Shoqërohet edhe kushërira e parë, dyshohet si bashkëpunëtore.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Orgjocë, ku 20- vjeçari, Begzim Isa, ka rrëmbyer dhe mbajtur për rreth 24 orë në shtëpi një 7-vjeçar me inicialet A.S. Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të familjarëve në policinë e rrethit Kukës. Nga të dhënat e para mësohet, se i riu e kishte grabitur 8- vjeçarin, për qëllime trafikimi në Kosovë.

“Begzim Isa, student në Kosovë, është vënë nën pranga dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thanë burimet e policisë.

Nga informacionet e mbledhura, policia e Kukësit dyshon se Isa kishte rrëmbyer dhe herë të tjera djalin me inicialet A.S.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore nuk rezultoi që i mituri të jetë abuzuar seksualisht. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se fëmija në momentin e gjetjes nga uniformat blu ka paraqitur shumë probleme psikologjike duke deklaruar se rrëmbyesi e ka kërcënuar atë me pistoletë dhe për këtë arsye është në praninë edhe të një psikologeje.

Policia po heton për ngjarjen, pasi dyshohet se 20-vjeçari mund të ketë tentuar edhe herë të tjera të rrëmbeje fëmijë.
I riu 19 vjeçar, që ka qëndruar për studime për një kohë të gjatë në Kosovë, tashmë është në dhomat e paraburgimit, në drejtorinë e policisë së qarkut Kukës, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Pista e hetimit për 20-vjeçarin shton dyshimet tek policia se në këtë zonë vepron një rrjet i trafikimit të fëmijëve drejt Kosovës. Tre vjet më parë në fshatin Zapod u zhduk në rrethana misterioze vajza 6-vjeçare Bleona Mata, e cila nuk është gjetur ende.

Babai i femijes
Babai i fëmijës që u rrëmbye nga 20-vjeçari bëri me dije për News24 se ngjarja i ka shokuar.
“Djali është i trembur, unë jam i shokuar. Ngjarjen ia kam lënë në dorë policisë, unë e bëra denoncimin. Jam i lumtur qe djali im është shëndoshë e mirë!”, tha Avni Serani për News24 lidhur me ngjarjen e rrëmbimit të djalit të tij për 24 orë nga një i ri në fshat.

News24 ka verifikuar se banesa e personit që dyshohet si rrëmbyes i fëmijës dhe familjes së fëmijës janë vetëm 200 metra larg njëra-tjetrës. Të dyja familjet banojnë në Gjoricë.

Lajmi për arrestimin në Kukës të një personi që dyshohet se bën pjesë në një bandë trafiku të fëmijëve ka zgjuar shpresat mbi gjetjen e vogëlushes, Bleona Mata.

Babai i Qamiles: Nëse ka gisht në zhdukjen e Bleonës, do t’i fus 7 plumba ballit
Pas ndalimit të Qamile Matës, kushërirës së parë të Bleona Matës, vjen edhe reagimi i babait të saj. Babai i Qamiles, Bastri Mata hedh poshtë dyshimet që vajza e tij mund të jetë përfshirë në rrëmbimin e mbesës.

“Nuk besoj se vajza ime është e përfshirë në këtë punë. Nëse e ka bërë vajza ime këtë gjë, do t’i fus 7 plumba ballit”, shprehet ai.

Bastriu dyshon se në rrëmbimin e Bleonës “janë të përfshirë persona të tjerë”.

Shoqërohet në polici Qamile Mata
Korespondentja jonë në Kukës bën me dije të tjera detaje që lidhen me rastin e zhdukjes së vogëlushes Bleona Mata. Sipas saj, policia ka shoqëruar kushërirën e parë të vajzës, Qamile Matën, e cila dyshohet se mund të ketë bashkëpunuar me të riun për rrëmbimin e Bleonën 3 vjet më parë.

Mësohet se Qamilja, kushërira e parë e Bleonës ka lidhje farefisnore me 20-vjecarin Begzim Isa. Ata janë kushërinj të dytë dhe njihen mirë me njëri tjetrin.

Nëna e Bleona Matës: Vajzën e rrëmbeu 20-vjecari, bashkëpunoi kushërira e saj
Në një komunikim për News 24, nëna e Bleona Matës, vogëlushja e humbur para 3 vitesh në zonën e Zapodit në Kukës ka dyshime të forta se vajza e saj mund të jetë rrëmbyer nga Begzim Isa, 20- vjecari që akuzohet për rrëmbimin e një 8-vjecari në Kukës, për qëllime trafikimi.

Bukurie Mata, shprehet se ditën kur u rrëmbye e bija, vjehrra e saj e ka parë këtë person, por sipas saj nuk ka treguar.

Bukuria shprehet se 20-vjecari e ka rrëmbyer Bleonën në bashkëpunim me kushërirën e parë të vajzës, Qamile Mata.

“Bleona është rrëmbyer nga 20 vjecari në bashkëpunim me Qamilen, kanë pasur lidhje. Është edhe mbesë në atë lagje. Unë e kam denoncuar në polici këtë rast”, thotë ajo.

Ndërsa shpreson që një ditë të rishohë edhe njëherë vajzën e saj, ajo shton se, “Bleonën mund ta ketë shitur për birësim, e dinë shumë mirë kujt ia kanë dhënë vajzën, kujt ja kanë shitur. Unë e pres me padurim gjetjen e vajzës”, rrëfen ajo.

Gjyshi i Bleona Matës: Rasti në Kukës, zgjoi shpresat për mbesën
Gjyshi i Bleonës, Zenel Mata pohoi per News24 se gruaja e tij ka parë një 20-vjeçar në fshat ditën që u zhduk Bleona.
“Na është hapur një dritare e madhe, saqë është kapur ky djali kemi dyshime të sakta se mund të jetë ai rrëmbyesi. Gruaja ime, gjyshja e Bleonës e ka parë këtë 20-vjeçarin ditën që u zhduk Bleona. Kemi dyshime se ai ka lidhje me rrëmbimin. Kemi shpresa se vajza është gjallë dhe ishallah kthehet në shtëpi”, tha ne nje lidhje telefonike per News24, gjyshi i Bleona Mata.
Ai pohon se pasi ka mësuar lajmin në televizor ka folur me telefon me policinë.
“Para 1 ore kontaktova mne policinë dhe më thanë që po merren me këtë problem dhe që do më raportojnë për gjithçka”, thotë Zenel Mata.

Ngjarja
Bleona Mata humbi para 3 vitesh në muajin maj në zonën e Zapodit të Kukësit. 6 vjeçarja u zhduk në mënyrë misterioze rreth orës 17:00 të datës 22 maj të vitit 2010, ndërsa për zbardhjen e së vërtetës u angazhuan shumë forca policie. Në momentin e humbjes, vajza ka qenë në shoqërinë e 5 kushërirave. Vajzat pohuan se vogëlushja iu drejtua shtëpisë dhe ato nuk dinin më gjë për fatin e saj.
(d.b/m.a/BalkanWeb)

Lini një koment