Thaçi ndryshon qëndrimin rreth pikës përfundimtare të autostradës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar se drejtimi i “Rrugës së Kombit” mund të ndryshojë. Ai u ka thënë deputetëve se autostrada, që deri tash është menduar se do ta lidhë Vërmicën me Merdarin, do të vazhdojë së ndërtuari sipas planit të paraparë, porse mund të ndodhin devijime sa i përket pikës përfundimtare.
Gjatë seancës së mbajtur të premten, kryeministri Thaçi ka lënë të hapur mundësinë që projekti 1- miliardësh të shkojë në drejtim të Leskovcit, shkruan sot koha ditore.
“Në autostradën Morinë – Merdar eventualisht mund të ndodhë ndryshimi i trasesë në drejtim të Mutivodës, drejt Leskovcit”, është shprehur Thaçi gjatë seancës plenare.
Ai ka theksuar se pavarësisht kësaj, inaugurimi i ndërtimeve të realizuara nga kompania kontraktuese do të bëhet në afatin e propozuar më herët.
Sipas Thaçit, vjeshta do të jetë afati kur pritet të përfundojë i tërë procesi i ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërisë, me mundësi të lidhjes së saj edhe me Serbinë. Vendimi pritet të merret në negociatat që janë duke i zhvilluar me palën serbe.
Qëndrimin e kreut të Qeverisë e kundërshton opozita, por edhe njohësit e çështjeve ekonomike.