Smith: Limaj po sulmohet nga drejtësia
Avokati Gragory Guy Smith, i cili në dekadën e fundit mbrojti disa ish-pjestarë të UÇK-së në Hagë, e vlerëson shqetësues rigjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte në Kosovë, aq më shumë kur para 8 vitesh, pafajsia e tij u dëshmua edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte.
“E shoh si shumë problem që Limaj po ndjeket sërish nga prokuroria për krime lufte. Një nga qëllimet e Tribunalit të Hagës, ishte që të merret më çështje specifike të ketij lloji. Gjykimi ishte i gjatë, dëshmitë e prezentuara besoj se kanë qenë gjithëpërfshirëse. Është shumë problem tentimi që Limaj të shpallet fajtor, marrë parasysh faktin që ai është gjetur i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte nga Tribunali i Hages. Duhet të vijë një moment kur ndjekja ndaj individit duhet të marrë fund. Nuk mundet që ai të kaloi nëpër këtë pafundësisht, për çfarëdo akuzash që dikush i ka paraqitur ndaj tij”, ka theksuar Smith për transmetuesin publik.
Gjykata e Shkallës së Parë duke i shpallur plotësisht të pavlefshme dëshmitë e Agim Zogajt të njohur si dëshmitari X e liroi deputetin Limaj nga të gjitha pikat e aktakuzës e vetëm pak muaj më vonë në bazë të ankesës së prokurorisë Gjykata Supreme mori për bazë të gjitha dëshmitë e Zogajt për ta rikthyer këtë çështje nga e para. E tërë kjo situatë për avokatin Smith është plotësisht e pakuptimtë.
“Ka disa shqetesime ketu. Zotëri Limaj duket së është duke kaluar nëpër një barrierë apo një rrugëtim njëri pas tjetrit nëpër gjykata dhe unë nuk e kam të qartë se çfarë është duke ndodhur me jetën e tij. Pa dashur ta ofendoj askënd, këtë situatë e shoh si tepër shqetësuese. Këtë e them ngase kam pasur rastin që zotëri Limajn ta takoj në Hagë, ta njoh atë dhe ta gjejë të jetë një individ me integritet të lartë dhe shpirtmirë, një qenie e ndershme njerëzore. Edhe të tjerët e kanë thënë të njëjtën gjë për të kështu që të kalojë nëpër rrugëtime kur në mënyrë konstante është i sulmuar dhe nuk e shfrytëzoj këtë fjalë kot por i sulmuar nga procesi i sistemit të drejtësisë, kjo është diçka shqetësuese, tepër shqetësuese”, ka thënë ai.
Deputeti Fatmir Limaj që nga nëntori i vitit të kaluar ishte në paraburgim ndërsa kjo masë ju ndryshua më tetë mars dhe ai ndodhet në arrest shtëpiak, ndërsa procesi gjyqësor në rastin “Kleçka” pritet të vazhdojë më 26 prill
E avokati Gregory Gay Smith parashikon që fundi i këtij procesi gjyqësor të rikonfiormojë vendimin e shkallës së parë, përkatësisht lirimin e Fatmir Limajt, të njohur si komandant Çeliku.
“Edhe një herë po e them unë nuk i kam të njohura të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit mirëpo bazuar në atë që di dhe që kam lexuar posaçërisht kur flasim lidhur me dëshminë e dëshmitarit X kam shqetësimet e mija në mënyrën e procedimit të rastit, shqetësime serioze”, ka thënë Smith.