“Sigurimi serb, i gatshëm të reagojë në rast të dhunës në Kosovë”!
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për kontrollin e shërbimeve të sigurisë, Jadranka Joksimovic, ka thënë se nuk beson që në rast të mungesës së marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi, do të ketë përkeqësime të situatës sigurisë, por shton se nuk mund të thotë se kjo është e pamundur.
Joksimovic, në një deklaratë për Tanjug, tha se shërbimet serbe të sigurisë po e ndjekin situatën në “terren dhe se janë në gjendje gatishmërie”.
“Është fakt se tek pala shqiptare ka shumë fërkime të brendshme dhe pikërisht kjo grindje dhe pakënaqësi politike mund të përdoret si arsye për dhunë. Nuk besoj në këtë skenar, por kjo nuk do të thotë se nuk është i pamundshëm”, ka thënë Joksimovic, transmeton Telegrafi.
Ajo thekson se bisedimet janë shumë të vështira dhe se nënkuptojnë obligimin e të gjithëve që të mos përdorin argumentin e dhunës “për marrjen e ndonjë rezultat, sepse të gjitha negociatat janë për parandalimin e konflikteve”.
“Shërbimet tona të sigurisë monitorojnë situatën në terren, dhe janë të gatshme që në ndonjë skenar të keq – unë shpresoj që nuk do të ekzistoj – të reagojnë. Shërbimet e sigurisë janë në gatishmëri, por unë pres që bisedimet duhet të parandalojnë konfliktet dhe për këtë qëllim bashkësia ndërkombëtare insiston që argumenti i dhunës të mos përdoret”, thotë ajo. /Telegrafi/