Riformatimi pas kthimit nga Brukseli
Në dy ditët e para pas kthimit të kryeministrit Hashim Thaçi nga Brukseli do ketë riformatim të Qeverisë. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.Pacolli beson fuqishëm që kandidati i AKR-së, Fadli Ismajli, shumë shpejt do të udhëheqë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e kjo menjëherë pas miratimit të kandidaturës së tij nga shefi i Qeverisë.
Ndonëse përmbushja e obligimit të PDK-së ndaj AKR-së për qeverisje edhe me një dikaster shtesë është dashur të ndodhë më herët, Pacolli vlerëson se primare për të dyja subjektet kanë qenë angazhimet rreth dialogut në Bruksel.
”Në dy ditët e para pas përfundimit të takimit të së martës në mes të kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb Ivica Daçiqit, emri i Fadil Ismajlit do t”i propozohet kryeministrit për miratim. Kështu që ne besojmë se edhe ministria e cila pritet të udhëhiqet nga Fadil Ismajli do jetë një dikaster shumë i suksesshëm, sikurse janë të gjitha ministritë që udhëhiqen nga AKR-ja”, ka thënë Pacolli.
Ndryshe, kandidati i AKR-së për të qeverisur me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk është anëtar i AKR-së, por, sipas Pacollit, e rëndësishme është që në krye të një dikasteri kaq të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik te vendit, të vihet një njeri profesionalisht i dëshmuar dhe me integritet të lartë./standardi.info