Kalo te lënda

Turqit marrin distribucionin edhe prona qindra milionëshe

fotoCAETG0CUKanë mbetur edhe pak javë përpara se konzorciumi “Çalik&Limak”, ta marrë në duar distribucionin e Kosovës. Pas një procesi aspak transparencë janë të paktë ata që e dinë se çfarë realisht i është dhënë turqve për 26 milionë euro, nuk është bërë e ditur se çfarë do të marrë në pronësi nga kjo shitje Limak.

Izet Mustafa nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut, tregon se asnjëherë nuk iu është bërë e ditur në detaje se çfarë realisht ka blerë Limak nga ky privatizim.

Jo vetëm punëtorët, por as shoqëria civile e cila është marrë me këtë privatizim, dhe as opozita nuk janë në dijeni për detajet e pronave që do t’i marrë në duar kompania turke. Por, në të vërtetë Limak ka privatizuar objekte dhe prona në vlerë qindra miliona euro.

Gazeta “Zëri” ka mësuar kohë më parë se Limak do të marrë në duar ndërtesën e “Elektrokosovës” në Prishtinë, me 10 mijë e 703 metra katrorë me 34 arë tokë dhe shtatë objekte tjera të “Elektrokosovës”, në të gjitha qendrat e Kosovës, në kuadër të tyre edhe 19 objekte të nëndistrikteve, depon qendrore në Zonën Industriale në Prishtinë, me një sipërfaqe prej 4 hektarësh e 53 arë e 29 metra katrorë, 33 trafo aktive të tensionit 35/10kilovolt, 7000 trafo të tensionit 10/0.4kilovoltë, 21 mijë kilometra përçues ajrorë dhe nëntokësorë, 100 mijë shtylla elektrike nivelesh të ndryshme dhe 1000 automjete të distribucionit.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur, Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova”.

“Jam i gatshëm kurdoherë t’ju ofroj të gjitha dokumentet e këtyre pronave që kanë vlera marramendëse”, ka thënë të premten Pajaziti, për të shtuar se për të gjitha këto janë dokumentacionet kadastrave që tregojnë në detaje. /Indeksonline/

Lini një koment