Kalo te lënda

Pakicat duan ulëset e rezervuara

fotoCARHNHJQUlëset e serbëve në Kuvendin e Kosovës, si duket edhe për dy mandate tjera do të vazhdojnë të jenë të rezervuara. Me këtë janë pajtuar, të paktën parimisht, liderët e partive politike .

Në anën tjetër, pakoja e Ahtisaarit parasheh përfundimin e ulëseve të garantuara për pakicat pas dy mandateve.
Çështja, nëse kanë skaduar apo jo këto dy mandate, ka ngjallur mjaft debate dhe diskutime.

Minoritetet e kanë kontestuar një gjë të tillë pasi që sipas interpretimit të tyre, mandatet e shkurtuara nuk mund të numërohen si mandate të plota dhe se pakoja e Ahtisaarit duhet të interpretohet ndryshe.

Sipas, analistit Leon Malazogu pakoja e Ahtisaarit e parasheh përfundimin e ulëseve të rezervuara pas dy mandateve por duhet pasur parasysh që dy mandatet të cilat kanë kaluar nuk kanë qënë të plota. Sipas tij , kjo është një çështje pak kontestuese.

Pajtimi i krerëve politikë të vendit për të vazhduar edhe me dy mandate tjera të rezervuara për serbët, nga analisti Malazogu shihet si çështje politike.

“Ndoshta mund të ketë ndikim edhe çështja e veriut, pikërisht tani kur veriu duhet të bindet që të integrohet në Kosovë, tentohet të mos krijohet përshtypja që serbëve po ju merret një privilegj që e kanë pasur vite me rradhë”, ka thënë Malazogu për Indeksonline.

Ndërkaq, sipas kryetarit të Komisionit për Reformë Zgjedhore, Arsim Bajrami, një gjë e tillë, del jashtë Pakos së Ahtisaarit. Bajrami ka thënë se për çfarëdo ndryshim të këtyre vendeve duhet edhe një reformë kushtetuese përkitazi me reformën zgjedhore.

Ndryshe, liderët e partive politike mbrëmë janë pajtuar parimisht që të vazhdohet për dy mandate të rezervuara për pakicat, përveç Lëvizjes Vetëvendosje!, e cila e ka kundërshtuar këtë./Azem Fonda/Indeksonline/

Lini një koment