Kalo te lënda

Organizatat ekstremiste përbëjnë kërcënim për Ballkanin

f_0330173410982_mOrganizatat e reja ekstremiste në Ballkan janë duke operuar krahas grupeve ekstremiste ekzistuese dhe mund të përpiqen të ndryshojnë kuadrin politik dhe ligjor për t\’iu përshtatur agjendave të tyre, paralajmëruan analistët.

Analistët pajtohen se “ekstremizmi i ri” në Ballkan mishëron fenë, etninë dhe neo-nazizmin, ilustruar më së miri nga Agimi i Artë i Greqisë.

Të reja apo tradicionale, organizatat ekstremiste janë aktive në promovimin e agjendave të tyre, por edhe janë reaguese në kërkimin e mundësive politike, thotë Abit Hoxha, studiues në Qendrën për Studime të Sigurisë në Prishtinë.

“Kohët e fundit, organizata që përfaqësojnë ideologjitë ekstremiste kanë rritur aktivitetet e tyre në rang global, po ashtu dhe në Ballkan. Mjetet me të cilat ato kryejnë aktivitetet e tyre kanë ndryshuar me përdorimin e kanaleve të komunikimit modern”, tha Hoxha për SETimes.

Lëvizjet e reja islamike në Kosovë, të tilla si Bashkohu, Forumi dhe Paqja Studentore, nuk janë kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin e Kosovës, por mund të jenë nëse ato bëhen më aktive politikisht, shton Hoxha.

“Megjithatë, kjo varet nga mundësitë politike që mund t\’u jepen atyre”.

Hoxha paralajmëroi se Qeveria dhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm.

“Mos përfshirja në proceset politike nuk prodhon rezultate të mira në një demokraci”, tha ai. “Prandaj, është e rëndësishme t\’u jepet atyre një shans brenda kuadrit ligjor. Çdo gjë jashtë kuadrit ligjor, në Evropë është e dëmshme dhe e rrezikshme”.

Organizatat e reja ekstremiste nuk janë bërë protagoniste kryesore, për shkak të pranisë së madhe ndërkombëtare në Ballkan, që kanë penguar konfliktin, tha Ardian Arifaj nga instituti KIPRED i Kosovës.

“Ata në këtë mënyrë kanë mohuar bazën për dhunën e përhapur”, tha ai për SETimes.

Arifaj thotë se nëse organizatat ekstremiste nuk arrijnë të bindin qytetarët se ato janë të fokusuara në zgjidhjen e problemeve dhe jo vetëm se shesin retorikë nacionaliste, ato nuk do të bëhen akterë kryesorë në formimin e zhvillimeve politike.

“Për të ndryshuar dhe ndikuar në jetën në vendet e tyre përkatëse, ato duhet të ndryshojnë dhe të shkojnë më afër qendrës për t\’u bërë protagonistë në jetën politike”, tha ai.

Në Shqipëri, pranvera arabe ringjalli lëvizjet islamike, dhe modeli i Vëllazërisë Myslimane është aplikuar në vend dhe në rajon, thotë Ilir Kulla, ish-kreu i komitetit qeveritar të Shqipërisë për fetë.

“Ndikimi është pasqyruar në rajonin tonë nëpërmjet programeve akademike, biznesit dhe fesë, si dhe politikës. Deri më tani, nuk ka pasur lëvizje të vërteta ekstremiste të këtij lloji, dhe është bërë përpjekje me qëllim të legalizimit të tyre politikisht dhe shoqërisht”, tha Kulla për SETimes.

Por, Kulla tha se mungesa e autoritetit të shtetit, shoqëruar me korrupsionin e përhapur dhe dobësimin e strukturave shtetërore si pasojë e krizës ekonomike, kanë ndikuar në aftësinë e rajonit për të ndaluar rritjen e lëvizjeve islamike.

Etno-nacionalizmi dhe shovinizmi tradicional, i shprehur përmes pretendimeve agresive për zgjerim territorial, rishikimin e kufijve dhe spastrim etnik, janë ende gjallë, thonë analistët.

Andreja Bogdanovskit, studiues në institutin Analitika në Shkup, tha për SETimes se ka një tendencë nga faktorët më të mëdhenj politikë për të përdorur retorikën nacionalisto-shoviniste në fushatat zgjedhore.

“Efektet negative infektuese shtrihen tek akterët më vegjël ekstremistë të cilët, në fund të ditës, ndjehen të fuqizuar”, tha ai.

Një përjashtim i dukshëm është lëvizja neo-naziste Agimi i Artë në Greqi, e cila mban 18 vende në Parlament dhe popullariteti i saj është në rritje.

“Në periudhat e rënies së rëndë ekonomike, elektorati mund të kthehet në drejtim të opsioneve për zgjidhje të shpejta”, tha Bogdanovski.

Në një mjedis të tillë, akterët politikë si Agimi i Artë, por edhe të tjerë, promovojnë një retorikë të ngarkuar nga ana etnike dhe fetare që të ndërmarrin fushata dhune.

“Me 18 vende në parlament dhe mbështetje në rritje, ekstremizmi i këtij lloji duhet të trajtohet përmes institucioneve greke duke dërguar një mesazh të qartë se nuk ka vend për veprimtari të tilla në shoqërinë greke”, tha Bogdanovski.

Në Serbi, grupe ekstreme të djathta kanë qenë të pranishme në arenën politike që nga fillimi i viteve 1990, por as institucionet shtetërore nuk mund ose nuk duan të përballen me ata, tha Isidora Stakic, studiuese në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë.

“Kjo mënyrë e paevitueshme çon në rritjen e mëtejshme të ekstremizmit të krahut të djathtë”, tha ajo për SETimes.

Stakic shton se krahu i djathtë i ekstremizmit në Serbi sot ka karakteristikat të përbashkëta themelore të së djathtës evropiane radikale, por gjithashtu ka edhe elemente që janë rezultat i krizës socio-politike dhe konflikteve etnike në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990.

Disa nga organizatat më të shquara të krahut të djathtë në Serbi janë Obraz, Nacionalni Stroj, Dveri dhe SNP Nasi 1389. Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë të paligjshme shoqatat Obraz dhe Nacionalni Stroj, por dy të tjerat janë të njohura nga shteti si akterë legjitimë politikë dhe marrin pjesë në qeveritë lokale.

Analistët pajtohen se disa prej organizatave të vjetra ekstremiste, aktive në vitet 1990, nuk janë domosdoshmërisht aktive sot, por ideologjia e tyre ende ushtron ndikim.

Nga ana tjetër, Stakic tha se organizatat ekstreme të djathta përbëjnë një kërcënim serioz për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, për shkak të përfshirjes së tyre në dhunë të vazhdueshme. Ndërsa, Hoxha thekson se ndikimi i organizatave ekstremiste të reja është sistematik dhe i rëndësishëm, dhe kjo kërkon që qeveritë të reagojnë më mirë ndaj çështjeve në komunitetet më të vogla, ku ka mundësi të madhe që ekstremistët do të përfshihen në dhunë.

Lini një koment