LDK: Latifi 180.000 euro për dreka e udhëtime
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Rahovec vlerëson se Kryetari i kësaj komune Smajl Latifi ka dhënë shembullin më të keq në qeverisjen lokale në Kosovë.
Rahovec: “Pushteti lokal ka degraduar tërësisht, me raste të keqpërdorimeve të shumta të parasë publike, të ndërhyrjeve të vendimet ligjore të organeve komunale nga ana e Kryetarit dhe stafit të tij të afërt, me punësime në baza të afërsisë familjare dhe partiake dhe të interesave të tjera, me krijimin e borxheve enorme për komunën pa procedura të rregullta” shprehet LDK.
Sipas LDK-së ;kryetari Latifi ka keqpërdorur pasivisht paranë publike duke rritur enorm shpenzimet për lukset personale të tij dhe stafit të afërm. Ai ka shpenzuar apo ka keqpërdorur 180,000 euro për dreka, udhëtime zyrtare, mëditje dhe karburante për vetura zyrtare’.
“Vetëm për dreka zyrtare, pije dhe ushqime për 2012, Kryetari me vartësit e tij ka shpenzuar 36 mijë euro, 22 mijë euro për telefon dhe internet, pastaj 27 mijë euro mëditje për udhëtime zyrtare dhe 87 mijë euro karburante për vetura zyrtare. LDK vlerëson se këto shpenzime paraqesin keqpërdorim të parasë publike” njofton LDK.
LDK vlerëson skandaloz faktin se Kryetari ka mbyllur vitin 2012 me 3.8 milion euro borxhe ndaj operatorëve ekonomik. “Fakti se ka kaq shumë borxhe nënkupton se janë kryer punë jashtë procedurave të rregullta të prokurimit dhe në projekte që nuk kanë qenë të autorizuar nga Kuvendi Komunal” shprehet LDK duke vlerësuar se ‘me këtë Kryetar të papërgjegjshëm, Komuna e Rahovecit po rrezikon likuiditetin e saj dhe po rrezikon të paditet nëpër gjyqe për moskryerje të obligimeve ndaj operatorëve ekonomik’./infoGLOBI/