Kalo te lënda

Jahjaga: S’do lejoj viktimizimin e grave të dhunuara

vajza_1-300x225Jemi të gjithë dëshmitarë të sulmit fizik ndaj aktivistes dhe deputetes Nazlie Balaj, vetëm për faktin që u dha zë grave të dhunuara. Ky akt qyqar ndaj zonjës Balaj është vepër e patolerueshme dhe e papranueshme, e cila nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Kërkojë sërish nga mekanizmat e sigurisë që të kapin sulmuesit dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë” u shpreh Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë fjalimit të saj në në “Ditët e biznesit të vogël 2013” dhe në ndarjen e çmimeve për gratë e suksesshme ndërmarrëse

Prishtinë: “Le të jemi të qartë, nuk ka asnjë forcë dhe as individ në Kosovë që mund të kërcënojë me jetë dikë dhe të ushtrojë dhunë fizike ndaj dikujt që po mbron me aq vullnet pjesën e shoqërisë që i nevojitet përkrahja jonë e parezervë” tha presidentja.

“Nuk ka përgjigje të lehta në pyetje të vështira. Por, kjo nuk është arsye që t’i shmangemi obligimit tonë si shoqëri dhe të përkujdesjes tonë për këtë kategori të viktimave. Nuk do të lejoj që gratë e dhunuara të viktimizohen sërish dhe të stigmatizohen më tej nga pakujdesitë tona, nga bindjet personale, mospajtimet politike apo hezitimi që këto ditë ka dominuar sferën tonë publike” u shpreh ndër tjerash Jahjaga

“Në këtë diskutim nuk ka ne dhe ato, jemi ne dhe jemi një” tha presidentja.

Jahjaga më pas foli për gratë në biznes duke u shprehur “Më vjen mirë të jem në mesin e grave të suksesshme sipërmarrëse të Kosovës”.

“ Jam e bindur që ju po frymëzoni dhe po i nxisni shumë vajza dhe gra të marrin pjesë në fushën e biznesit duke e kundërshtuar botëkuptimin tradicional që biznesin e ka parë si një fushë të destinuar ekskluzivisht për botën mashkullore” tha ajo.

“Gratë nuk përfaqësojnë vetëm 50 për qind të popullatës, por dhe 50 për qind të potencialit, aftësive dhe talentit human. Në momentin kur gratë nuk përfshihen në secilin fushë të zhvillimit të një vendi qoftë të ekonomisë, politikës, vendimmarrjes apo në fushën sociale, ato mbeten burim dhe kapital human i pashfrytëzuar i një vendi” shtoi presidentja.

“Përgëzoj zëvendëskryeministren Kusari-Lila që në bashkëpunim më G7, këtë vit hapjen e ditëve të biznesit të vogël e bëjmë me shpërndarjen e çmimeve për bizneset më të suksesshme të udhëhequra nga gratë. Është shumë e rëndësishme të promovojmë sukseset e grave në fushën e ekonomisë dhe në çdo fushë tjetër të zhvillimit të shoqërisë dhe të shtetit, jo vetëm për të ndryshuar perceptimet, por për të ngritur vetëdijesimin për vlerën ekonomike, politike dhe sociale që sjell angazhimi i potencialit të grave si pjesë e barabartë e shoqërisë” tha për fund Jahjaga.

Lini një koment