Kalo te lënda

Hakmarrja e Zonjës

f_0330165434771_mJuventusi e ka mposhtur Interin para tifozëve në Giuseppe Meazza me rezultat 2-1, për t’iu hakmarrë për ndërprerjen e serisë pa humbje në takimin e parë sezonal.

Mysafirët e kontrolluan mjeshtërisht fraksionin e parë të lojës duke e lënë nën hije skuadrën vendase.

Pas fillimit të furishëm nga Bianconerët, kur po zhvillohej minuta e tretë, Fabio Quagliarella me një gol të bukur heshti tifozët vendas.

Vendasit i patën dy raste të mira në këtë gjysmëlojë, mirëpo tentativat e Cassanos dhe Palacios i ndali Gigi Buffon.

Nga ana tjetër, Matri dhe Vidal kanë mundur të bëjnë më mirë në rastet e tyre për ta ngritur edhe më shumë avantazhin.

Përmendim dy prekje të topit me dorë në zonë, Bonucci për bardhezinjtë dhe Zanetti për zikaltrit, por në të dyja rastet arbitri heshti.

Fillimi i gjysmës së dytë ishte në favor të ekipit vendas që pas presionit të shkaktuar, arriti te goli i barazimit.

Antonio Cassano dërgoi një pasim të mirë drejt Rodrigo Palacios, i cili e rindezi atmosferën në Meazza (54’).

Megjithatë, entuziazmi i tifozëve vendas nuk zgjati shumë, pasi Alessandro Matri riktheu avantazhin (60’), pas asistimit të Quagliarellas, i cili e ktheu topin në vijë.

Nerazzurrët e dominuan pjesën e mbetur të takimit duke krijuar shumë raste, ndërkohë që bardhezinjtë mbroheshin duke pritur fishkëllimën e gjyqtarit dhe rrallë herë dilnin në sulm.

Juventusi ka 12 pikë më shumë se përcjellësi i parë, Napoli, që këtë xhiro luan në shtëpi të Torinos, ndërkohë që zbehen gjasat e Interit për Ligën e Kampionëve.

Lini një koment