Kalo te lënda

Bayerni i çon selam Juves

f_0330202003419_mPërballjet që dikur quheshin ‘derbi’, Bayern Munichu po i kalon pa u lodhur e me shumë gola. Hamburgu ishte viktima e bavarezëve në Allianz Arena, ku u mposht me rezultat 9-2.

Mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri, i cili ishte titullar në këtë takim e zhbllokoi rezultatin që në minutën e pestë, pas asistimit të Toni Kroos.

Futbollisti nga Kosova ishte i përfshirë edhe në golin e dytë, pasi falë krosimit të tij, Bastian Schweinsteiger e dyfishoi rezultatin (19’).

Claudio Pizarro ishte futbollisti i radhës që u regjistrua në listën e golashënuesve (30’), ndërsa Arjen Robben (33’) dhe sërish Pizarro (45’) pas topit të kthyer nga goditja e Shaqirit, bënë që pjesa e parë të mbyllej 5-0.

Peruani Pizarro kompletoi het-trikun në pjesën e dytë (53’), ndërkaq Robben shënoi golin e dytë personal (54’).

I pandalshmi Claudio shënoi edhe golin e katërt personal në këtë takim (68’), para se mysafirët të realizonin me anë të Jeffrey Bruma (75’).

Franck Ribery, i cili zuri vendin e Shaqirit, shumë shpejtë u regjistrua në listën e shënuesve (76’), ndërsa ky ishte goli i nëntë i vendasve. Serinë e golave e mbylli lojtari mysafir Heiko Westermann (86’).

Bayern Munichut i duhet vetëm edhe një fitore që të shpallet edhe matematikisht kampion i Gjermanisë.

Ndërkaq, ky triumf i jashtëzakonshëm është një paralajmërim për Juventusin se çfarë mund ta presë në Allianz Arena të martën mbrëma. Kujtojmë se edhe Zonja e Vjetër e mposhti rivalin e përbetuar Inter në derbin e Italisë (2-1) që u zhvillua të shtunën në Giuseppe Meazza.

Lini një koment