Bashkimi i opozitës duket i largët
Analistët kosovarë vlerësojnë për Telegrafin se dallimet programore që i karakterizojnë subjektet politike, që gjenden në opozitë, nuk janë pengesa kryesore për një bashkim eventual të opozitës.
“Qartësimi i pozicionit të AAK-së, pas dështimit që të hyjë në koalicionin qeverisës me PDK-në, do të jetë vendimtar në përcaktimin e jetëgjatësisë politike të qeverisjes aktuale në Kosovë”, thekson analisti Driton Selmanaj.
Ai konsideron se ambiciet dhe përpjekjet subjektive për ta marr primatin e “opozitarizmit” në jetën parlamentare dhe politike në vend, po paraqesin pengesën më të pakalueshme në opozitë.
“Tanimë është e qartë se Jakup Krasniqi dhe PDK-ja i kanë ndarë rrugët e veprimit dhe angazhimit politik. Ish-sekretari i PDK-së ka bërë të ditur se ai është duke menduar për ardhmërinë dhe angazhimin e tij politikë, andaj edhe takimi Krasniqi-Kurti mund të jetë realizuar në kuadër të këtij konteksti”, ka deklaruar Selmanaj.
Në anën tjetër, analisti Bajrush Morina tha se për momentin nuk e sheh as vullnetin dhe as mundësinë e krijimit të një blloku opozitar kundër qeverisë Thaçi. Sipas tij, opozita është tepër heterogjene, madje më e “ftohtë” më njëra-tjetrën sesa që është “i nxehtë” koalicioni qeverisës.
“Opozita, e sidomos LDK dhe Vetëvendosje – si dy parti të mëdha opozitare – kanë dallime të mëdha në koncept dhe përmbajtje. LDK është parti institucionale, e Vetëvendosje është parti revolucionare”.
Morina thekson që AAK-ja për momentin është parti “as mish as peshk”, me kryetarin opozitar dhe me nënkryetarin në pushtet.
“Si e tillë, është e pamundshme që të bëhen bashkë, madje as në koalicion për pushtet e lëre më si një bllok opozitar. Ka edhe një arsye e mos unitetit të opozitës: përderisa Vetëvendosje tenton që të bëjë ‘grushtet’ kundër Qeverisë, qoftë edhe me protesta në rrugë, LDK dhe AAK duket se nuk janë të gatshme që të qojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Mu për këtë arsye, Hashim Thaçi mund të ‘flejë dathë’ deri në pranverë, sepse nuk ka kush që e rrëzon”.
Morina vlerëson se PDK-ja tashmë e ka humbur Jakup Krasniqin, i cili – sipas tij – vetëm formalisht është anëtar i PDK-së.
“Është çështje se sa është ‘vlera politike’ apo fuqia politike e Jakup Krasniqit për të ndihmuar Vetëvendosjen në rrëzimin e Qeverisë. Kam mendimin se Krasniqi nuk u duhet më as PDK-së e as Vetëvendosjes”, ka deklaruar Morina. /Telegrafi/