Anonymous sulmon, Koreja e Veriut shpalli gjendjen e luftës me fqinjin jugor (Foto/Video)
|
|
Koreja e Veriut vazhdon të acarojë marrëdhëniet me kryeqytetet perëndimore dhe Korenë e Jugut. Hapi i ri i Phenianit është shpallja e gjendjes së luftës me fqinjin jugor.
Në një deklaratë zyrtare janë shpallur “reagimet vendimtare fizike” për “çfarëdo provokimi”. “Deklarata e luftës” vjen pas sanksioneve të reja për një provë të tretë bërthamore në muajin shkurt, por edhe si një reagim ndaj provave ushtarake amerikano-koreanojugore.

Pavarësisht nga “shpallja e luftës”, analistët politikë dhe ushtarakë tek të cilët thirren mediat perëndimore, nuk besojnë se do të ketë konflikt të vërtetë. Në fakt, të dy palët janë teknikisht në luftë që nga viti 1953, meqë një traktat paqeje, pas luftës, ende nuk është nënshkruar.

Në anën tjetër, grupi i hakerëve Anonymous Korea ka shkruar sot në Twitter se kanë thyer pesë stacione zyrtare të rrjeteve të Koresë Veriore, përfshirë faqen zyrtare të shtetit, si dhe të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme.
Pos kësaj, janë thyer edhe faqet e aerokompanisë nacionale, Air Koryo, versionet koreane dhe në anglisht të faqes së Partisë Demokratike Popullore të Koresë etj. Sulmet e tyre po vazhdojnë.

Siç kemi raportuar, Koreja e Veriut ka vënë dje raketat e saj në “gjendje gatishmërie”, për një sulm mbi bazat strategjike të SHBA-ve në Paqësor, si kundërpërgjigje ndaj “fluturimeve sekrete amerikane” të cilat ishin regjistruar mbi gadishullin Korean. Sipas Agjencisë shtetërore të lajmeve, KNCA, lejen për pozicionimin e raketave e ka nënshkruar natën e kaluar, në një takim me gjeneralët, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
KCNA ka publikuar edhe fotot nga mbledhja e jashtëzakonshme natën e kaluar. Në fotografi shihet “plani i sulmit” ndaj Shteteve të Bashkuara, si dhe disa detaje të forcave të armatosura të Koresë së Veriut.
Analistët kanë komentuar se nuk është fjala për rrjedhje të gabuar të informacionit, por për një publikim që ka për qëllim për të “fryrë” fuqinë e Koresë Veriore. Sipas fotografive, Pheniani ka 10 nëndetëse, 13 anije të mëdha desanti dhe gjashtë anije minahedhëse, ndërsa linjat përshkruajnë trajektoren e raketave drejt SHBA-ve.
http://www.youtube.com/watch?v=gCwXvfShV4w&feature=player_embedded
“Edhi koha t’i qërojmë hesapet me Shtetet e Bashkuara”, paralajmëroi Kim Jong-un. “Nëse SHBA-të fillojnë provokimet e pakujdesshme, Koreja e Veriut do të sulmojë pa mëshirë objektivat amerikane në Paqësor, duke përfshirë Havain dhe ishullin Guam, si dhe objektivat në Korenë e Jugut”.
http://www.youtube.com/watch?v=nro5zTnZU70&feature=player_embedded
