Kalo te lënda

VV bën thirrje për pjesëmarrje masive në protestë

fotoDerisa, Qeveria e Kosovës ndodhet tri ditë larg marrëveshjes së mundshme për veriun, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që nesër në protestën e paralajmëruar në Mitrovicë të bashkangjiten numër sa më i madh i qytetarëve.

Tubimi protestues i cili do të mbahet nesër në orën 13:00 në sheshin “Mehë Uka” të Mitrovicës, është vullneti i qytetarëve kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër krijimi të asociacionit me shumicë serbe. Kështu kanë thënë drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, sot në një konferencë për media, një ditë para protestës.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje!, Asociacioni i komunave serbe i cili është paralajmëruar të krijohet brenda Komunave të Kosovës është fillimi i autonomisë për veriun.

Deputeti Glauk Konjfuca ka vlerësuar se shtetit tonë po i kërcënohet legalizimi i një autonomie serbe dhe se plani 8 pikësh reth të cilit po diskutohet, projekton autonominë për veriun e Kosovës.

“Me Ahtisaarin u krijuan komuna të reja serbe kurse me asociacionin që po krijohet tash këto komuna serbe po bashkohen në një trup të vetëm. Kryeqëndra e këtij trupi do të jetë veriu i Kosovës që në masën më të madhe kontrollohet nga Serbia. Palët në negociata po bisedojnë rreth një plani 8 pikësh të Bashkimi Evropian, shumica e këtyre pikave paraqesin një mundësi të Serbisë që ta projektojë autonominë e veriut të Kosovës. ”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, kjo qeveri është përgjegjëse që e ka bërë Serbinë pjesë të vendimit për një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

“Ky asociacion i bën serbët një bashkësi dhe një trup politik të lidhur me Beogradin dhe që i paraqet pastaj kërkesa të vazhdueshme Prishtinës. Kjo i jep Serbisë mundësinë e përkryer për arritjen e aspiratave hegjemoniste”, ka shtuar Konjufca.

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i lanë pa komentuar thirrjet e kryeministrit Thaçi për mos dalje në protestë, pasi që sipas këtij të fundit duhet të pritet 2 prilli dhe se nuk do të ndodhë ajo që po pretendon Vetëvendosja!.

“Kryeministri shkon pikërisht sot në Mitrovicë një ditë para protestës, kjo është e çuditshme, këta mundohen t’i frikësojnë qytetarët gjithmonë ka ndodhur kështu para protestave, ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të mos i dëgjojnë këto zëra sepse ky është një tubim protestues i qetë”, ka thënë Shpend Ahmeti.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, sot ka vizituar Mitrovicën./Indeksonline/

Lini një koment