Kalo te lënda

Thaçi e Pacolli vizituan veriun e Mitrovicës

403x30259502foto_php5Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli dhe bashkëpunëtor të tjerë kanë qëndruar sot në Mitrovicë. Ata kanë vizituar edhe lagjen “problematike” të kësaj pjese, Kroi i Vitakut. Së bashku me kryetarin e komunës, z. Avni Kastrati, kanë vizituar investimet që po bëhen në infrastrukturë.
Thaçi dhe Pacolli vizituan nga afër punimet që po zhvillohen në objektin shumë-funksional, renovimin e Palestrës “Minatori” dhe qendrës së re tregtare, projekt rreth 24 milion euro, që bashkë financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Vizita në Mitrovicë është përmbyllur në lagjen Kroi i Vitakut, ku është vizituar shtëpia e rinovuar dhe galeria brenda shtëpisë së Ali Kadrisë.
“Ne vizituam një galeri, që është galeri e pronarit, por është mesazh i jetës së re, i frymës së re, është mesazh i shpresës, i besimit dhe i kthesave që po ndodhin këtu”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka premtuar përkrahje të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj komunale në rritjen e investimeve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj ane.
Ndërsa Ali Kadriu ka kërkuar që amanetin e dëshmorëve ta plotësojmë me punë. “Më keni bërë nder të madhe. Ne të gjallët kemi obligim moral që amanetin e dëshmorëve, të njerëzve që kanë rënë për këtë tokë, t’i plotësojmë me punë, me vepra” ka thënë Kadriu./standardi.info

Lini një koment