Studentët e Tiranës: Bashkohemi në Mitrovicë
Studentët e Tiranës i përgjigjen thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje për pjesëmarrje në tubimin në Mitrovicë kundër negociatave me Serbinë dhe marrëveshjes së pritshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Në kumtesën e organizatës studentore “Studim Kritikë Veprim” të Tiranës thuhet se vullneti i shqiptarëve është barazia dhe jo qytetaria e dorës së tretë, pas asaj serbe e multietnike.
“Ne do të bashkohemi në Mitrovicë sepse vullneti i shqiptarëve është barazia dhe jo qytetaria e dorës së tretë, pas asaj serbe e multietnike. Plani i Ahtisaarit privilegjoi komunitetet etnike kundrejt shqiptarëve si komunitet kombëtar e na bëri banorë të dorës së dytë në Kosovë. Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave ri-privilegjon serbët, duke na lënë neve boshllëkun e frazave të Thaçit për pavarësi e sovranitet, serbëve plotësinë e të drejtave kolektive; neve Thaçizmin, serbëve politikën; neve papunësinë e skamjen, serbëve punësimin e zhvillimin; neve izolimin e kufijtë me RSh-në, serbëve drejtimin nga Serbia”, thuhet në kumtesë.
Më tej, në deklaratë jepen arsyet pse do t’i bashkëngjiten kësaj proteste. “Ne do të bashkohemi në Mitrovicë sepse vullneti i shqiptarëve është bashkimi e jo ndarja. Decentralizmi etnik në Kosovë që kulmon me marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave serbe thellon ndarjen e Kosovës dhe pamundëson tërësisht shtetësinë e saj. Ajo çka nis me privilegjimin buxhetor vazhdohet me të drejta shtesë vetëqeverisëse e vetëgjyqësie për serbët. Shpejt atyre do tu shtohet edhe legjislativi pasi vetëqeverisja ndër-lokale ka nevojë për ligjësi ndër-lokale. Kjo strukturë e re forcon praninë e Serbisë në Kosovë, tashmë edhe në nivel bashkësie lokale….”, thuhet në të tjera në komunikatë.
“Studentët e Tiranës do të jenë në Mitrovicë në 30 mars 2013 për të tubuar kundër negociatave me Serbinë! Kundër kontrollit të trefishtë të Kosovës nga Serbia që po ligjërohet përmes marrëveshjes së pritshme Dacic–Thaçi! Për bashkimin e Mitrovicës! Për bashkimin e shqiptarëve në Mitrovicë!”.